Site icon Telegrafi

Kryetari i Unionit të Shqiptarëve në Kroaci: I kërkuam presidentit Milanoviç që ish-drejtuesit e UÇK-së të kenë vendbanim në Kroaci

Kryetari i Unionit të Shqiptarëve në Republikën e Kroacisë, Esad Çollaku ka thënë se prej shumë muajsh janë duke bërë përpjekje që të marrin garanci nga zyrtarë të lartë të Kroacisë për mbrojten në liri të ish-themeluesve të UÇK-së.

Çollaku ka thënë se kjo shoqatë para 90 ditëve kanë kërkuar gojarisht nga Presidenti i Kroacisë që të del garantë për lirimin e ish-themeluesve të UÇK-së.

“Kemi kërkuar nga Milanoviçi që nëse ish-themeluesit e UÇK-së nuk lejohen të mbrohen në liri në Kosovë, ata të kenë një vendbanim në Kroaci. Kemi kërkuar që në fillim Kryeministri i Shqipërisë të del garantues e që është mik i Presidentit Milanoviçi .Këto gjëra kanë shkuar mirë deri para dy-tri ditësh kur kanë dalë disa gjëra në media që nuk shkojnë mirë me përpjekjet tona për lirimin e tyre”, tha ai në RTV Dukagjini.

“Presidenti Milanoviç ka miqësi të madhe me ne shqiptarët dhe ai vlerëson lartë luftën tonë për liri”, shtoi ish-ushtaraku përcjell Telegrafi.

Çollaku thotë se liderët e Kroacisë kanë dalë garantues edhe për shumë ish-oficer ushtarak nga Bosnja dhe të njëjtit janë mbrojtur në liri.

“Shteti kroat ka garantuar mbi 40 herë për ish-të akuzuar nga Haga dhe në 25 raste ka ndodhur lirimi”.

Kryetari i Unionit të Shqiptarëve në Republikën e Kroacisë thotë se ish-presidenti Mesiç kishte dalë garant edhe për shqiptarin Rrahim Ademi dhe që i njëjti kishte fituar lirimin.

Çollaku thotë se këtë iniciativë nuk e ka marrë në koordinim me mbrojtjen e të akuzuarve nga Specialja por vetëm se si ish-pjesëtarë i UÇK-së e ka ndjerë obligim të kërkojë këtë favor nga presidenti i Kroacisë./Telegrafi/

Exit mobile version