Telegrafi

Kryetari i Tottenhamit, Levy i ofroi Contes transferimin e Ronaldos

Kryetari i Tottenham Hotspur, Daniel Levy i ofroi ish-menaxherit Antonio Conte, Cristiano Ronaldo, para Krishtlindjeve.

I liruar nga Manchester United në muajin nëntor, Ronaldo nënshkroi për Al Nassr në janar pas Kupës së Botës “Katar 2022”.

Megjithatë, sipas mediumit britanik Daily Mail, Levy i sugjeroi Ronaldon trajnerit Conte në muajin dhjetor.

Kryetari i Spurs ishte serioz për nënshkrimin e yllit portugez, por Conte e mbylli idenë duke mos pranuar transferimin e Ronaldos.

Conte u largua nga Spurs me pëlqim të ndërsjellë gjatë pushimit ndërkombëtar të muajit të kaluar pas një ecurie të dobët të rezultateve vetëm disa javë para skadimit të kontratës së tij, e cila ishte gati të përfundonte në fund të sezonit.

Ndihmësi i Contes, Cristian Stellini është vendosur ta drejtojë Tottenhamin deri në fund të sezonit 2022/23. /Telegrafi/