Site icon Telegrafi

Kryetari i Supremes, i ankohet kryeprokurorit të Shtetit (Dokument)

Vendimet për të kthyer në rigjykim dhe ngritur aktakuza për rastet të cilat janë pushuar hetimet, pas skadimeve të afateve ligjore, janë të paligjshme. Kështu ka konstatuar kryetari i Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, Fejzulla Hasani, në një kërkesë drejtuar Zyrës së Prokurorit të Shtetit me anë të se cilës ka kërkuar që të ndërmerren masa dhe mos të procedohen raste të tilla nëpër gjykata, nëse hetimet nuk janë përfunduar brenda afateve ligjore.

Madje, kryetari i Supremes, në këtë kërkesë, një kopje të cilës e ka siguruar portali INFOKUSI, i bën thirrje Kryeprokurorit të Shtetit të diskutojë këtë çështje me prokuroret dhe t’i tregohet atyre se veprime të tilla janë të paligjshme. Madje, ai ka shkruar se me raste të tilla pa nevojë po ngarkojnë gjykatën për çështje të cilat apriori e dinë se akuza do të hedhet.

Këtë paralajmërim, Fejzulla Hasani e ka bërë para një viti, por si duket nuk është marrë parasysh nga askush, për shkak se vetëm brenda këtij viti nga prokurorët e EULEX-it kanë kthyer në rigjykim disa raste të cilat me vite kishin pushuar hetimet për tejkalim të afateve ligjore.

Një rast i tillë ishte i Kolegjit të EULEX-it të Gjykatës Supreme të Kosovës i cili ktheu në rigjykim rastin e tenderit të KEK-ut e që nga avokatët u cilësua si rast që ka shkaktuar pasiguri juridike, duke venë në pikëpyetje edhe ligjshmërinë e shumë vendimeve të marra nga gjykatat për vite të tëra.

Për këtë, rast Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Hasani, publikisht i ka akuzuar gjyqtarët e EULEX-it.

Para disa ditësh, Hasani të paligjshëm e ka cilësuar aktvendimin e kolegjit me shumicë gjyqtarësh të EULEX-it që ka vendosur ta dërgojë në gjykim aktakuzën kundër Sami Lushtakut dhe të tjerëve për tenderin e KEK-ut, ani se Gjykata e Apelit e kishte hedhur poshtë atë.

“Të gjitha ato aktakuza që ngrihen pas afatit prej 24 muaj hetimesh janë arbitrare dhe në kundërshtim më ligjin”, kishte thënë kryetari i Supremes, duke shtuar se nuk ka autoritet mbi kolegët ndërkombëtarë, të cilët, sipas tij, kanë lejuar ankesa edhe ndaj vendimeve të formës së prerë, çka nuk parashihet me ligj.

Ndërsa, në letrën drejtuar kryeprokurororit të Shtetit, ai shkruan: “Lënda: Kërkesa që të mos procedohen çështjet nëpër gjykata, nëse hetimet nuk janë përfunduar brenda afatit ligjor.

Prokurori ka për obligim që hetimet penale t`i përfundoj brenda limiteve ligjore që i parasheh ligji, nëse prokurori nuk i përfundon hetimet brenda afatit ligjor, ai domosdoshmërisht duhet t`i pushoj hetimet, dhe pavarsisht gjendjen në shkresat e lëndës (pavarësisht se ka prova që e mbështesin akuzën), nuk ka të drejtë ligjore të vazhdoj me procedurën nga se këtë ia ndalon neni 159.par.1.i.KPPK, i cili parasheh:

Kur fillohet hetimi, hetimi përfundon brenda dy (2) viteve. Nëse brenda dy (2) viteve nga fillimi i hetimit paraprak nuk është ngritur aktakuzë, ose nuk është pezulluar hetimi sipas nenti 157 të këtij Kodi, hetimi menjëherë pushohet.

Kjo normë është e karakterit imperativ, dhe nuk lë asnjë dilemë se si duhet të veprohet ngase ligji obligon prokurorin që menjëherë ta pushoj hetimin.

Arsyeja se pse po ju shkruaj është fakti se gjykatat po ballafaqohen me situata kur prokurori edhe pas kalimit të afatit për hetime, nga neni 159. Të KPPK, po i procedojnë çështje në gjykatë dhe në këtë mënyrë po e sfidojnë palën, por edhe pa nevojë po e ngarkojnë gjykatën me çështje për të cilat apriori e dinë se akuza do hedhet.

Ngritja e akuzës pas skadimit të afatit nga neni 159. është veprim i kundërligjshëm, ngase ligji obligon pushimin e procedurës. Për t`i evituar këto situata është e nevojshme që ta diskutoni këtë çështje me prokurorët, me qëllim që të sqarohet norma ligjore.

Me shpresë se këtë kërkesë do vlersoni si mjet të komunikimit të mirë në mes të institucioneve tona, ju falenderoj për bashkëpunim” (sic.). /INFOKUSI.COM/

Exit mobile version