Site icon Telegrafi

Kryetari i Sindikatës së Mjekëve të QKUK e sheh me dilema emërimin e mininistrit të Shëndetësisë

Kryeministri i Republikës së Kosovës që u zgjodh dje në Kuvend, Ramush Haradinaj, e ka prezantuar edhe kabinetin e tij me të cilin synon ta qeverisë vendin për katër vjet mandat.

Ndër ministrat që do të jenë nën udhëheqjen e tij, është edhe ai për Shëndetësi.

Haradinaj ka zgjedhë që këtë sektor me aq shumë probleme ta drejtojë ministri Uran Ismaili, i cili është nënkryetar i PDK-së.

Vlen të përmendet se koalicioni PDK-AAK-Nisma, përkatësisht liderët e tyre, kishin nënshkruar disa marrëveshje me shoqata të ndryshme, ndër to edhe me Federatën e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovë.

Megjithatë, kryetari i Sindikatës së Mjekëve të QKUK-së, Xhemajl Selmani, i cili ka qenë pjesë e nënshkrimit të marrëveshjes së PAN me FSSHK-në, ka dilema te caktimi i ministrit të ri të Shëndetësisë, raporton Insajderi.

“Marrëveshja e FSSHK dhe dy liderëve të koalicionit z. Ramush Haradinaj i nominuar për kryeministër dhe z. Kadri Veseli tashmë kryetar i kuvendit. Sipas kësaj marrëveshjeje, do duhej të konsultoheshim lidhur me përzgjedhjen e menaxherëve të lartë të shëndetësisë!”, ka shkruar ia në llogarinë e tij në Facebook.

Por Uran Ismailin ai e sheh si njeri enigmë.

“Kam vetëm një pyetje: Kush është Uran Ismaili dhe çka ka bërë ai në shëndetësi dhe për shëndetësinë?! Uroj që shëndetësia të ketë fituar një menaxher të fortë!?”, ka përfunduar ai.

Në cilësinë e të nominuarit për kryeministër nga koalicioni PAN, Ramush Haradinaj, kishte thënë se do ta rrisin buxhetin për shëndetësinë e më pas edhe rritjen e pagave.

“Personeli mjekësor, punëtorët mjekësor, nga mjekët, infermierët e teknikët mjekësorë janë heronjtë tanë. Ata e kanë mbajtur gjallë kujdesin shëndetësorë në kohërat më kritike edhe gjatë luftës kur na kanë qëndruar pranë dhe ne u jemi mirënjohës edhe për punën që sot e bëjnë në kushte jo të mira”, kishte thënë Haradinaj më 1 qershor gjatë një deklarimi të tij pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje.

“Prioritet i yni është rritja e buxhetit për shëndetësinë, pastaj vazhdon rritja e pagave, pasi nuk ka pasur rritje në tri vitet e fundit, me mundësi do të rriten në te muajt e parë eventualisht. Dhe vazhdon kështu me pagesën e rrezikshmërisë, me furnizimin me barëra dhe ilaçe me rregull ose adekuat”, kishte thënë më tej ai.

Ky memorandum parasheh rritjen e pagave prej 30 për qind për të gjithë punëtorët shëndetësorë, furnizim të rregullt me barna dhe materiale shpenzuese, si dhe investime kapitale në infrastrukturën shëndetësore.

Exit mobile version