Site icon Telegrafi

Kryetari i Rahovecit paralajmëron mosbindje civile nëse qeveria nuk lejon bujqit të punojnë tokat

Kryetari i Rahovecit Smajl Latifi është shprehur i shqetësuar me masat e reja që ka marrë mbrëmë qeveria në detyrë në lidhje me kufizimet e reja të qarkullimit të qytetarëve.

Latifi në RTV Dukagjini ka thënë se Ministria e Shëndetësisë nuk është konsultuar me komunat kur ka marrë vendim për të kufizuar lëvizjet e të gjithë qytetarëve.

Ai ka thënë se fermerët dhe bujqit gjithë presionin po e bëjnë në adresë të kryetarëve të komunave.

“Unë nuk kam guxim që t’iu them fermerëve mos i punoni tokat tuaja”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Latifi thotë se me këto vendime të pamenduara mirë, qeveria ka shkaktuar panik te qytetarët e Rahovecit e sidomos të bujqit dhe blegtorët.

“Për ne këto janë masë të çuditshme të vendosura në mënyrë arbitrare”.

Megjithatë i pari i Rahovecit thotë se qytetarët e kësaj komune do të respektojnë rekomandimet e OBSH-së në lidhje me coronavirusin.

Latifi thotë se prej një kohe të gjatë si komunë i kanë bërë thirrje qeverisë që të ketë parasysh edhe kërkesat dhe nevojat e bujqve.

“Përderisa ata nuk i kanë marrë parasysh ato kërkesa, ne nuk jemi të gatshëm t’i pengojmë qytetarët të shkojnë për t’i punuar tokat e tyre”.

I pari i Rahovecit thotë se dëmi do të jetë i madh nëse pengohen fermerët të shkojnë në tokat e tyre.

“Më e rënda është se këta bujq do ta humbin motivin që të merren me këtë veprimtari në të ardhmen”, tha ndër të tjera Smajl Latifi./Telegrafi/

Exit mobile version