Kryetari i qytetit Austin në Teksas, Steve Adler, kishte udhëtuar me aeroplan privat për në Meksikë për të pushuar, ku nga atje përmes një video-mesazhi u bëri thirrje bashkëqytetarëve të qëndrojnë nëpër shtëpitë e tyre, për shkak të pandemisë së coronavirusit, shkruan BBC.
Adler kur u zbulua, pretendonte se nuk ka shkelur kurrfarë ligji, pasi në fuqi nuk ishte edhe ndalesa e udhëtimeve, transmeton Telegrafi.
Para udhëtimit të tij në Meksikë, Adler në një hotel në Austin kishte organizuar dasmën luksoze për bijën e tij. E ajo u mbajt në një ambient të hapur, ku ishin të ftuar vetëm 20 mysafirë.
Megjithatë ai ka pranuar se gjatë ceremonisë martesore “sigurisht që maskat nuk janë bartur tërë kohën” edhe pse u ishin shpërndarë të pranishmëve.
Të nesërmen me aeroplan privat udhëtoi në Meksikë, e gjatë një nate pushimi filmoi një video me të cilën iu drejtua bashkëqytetarëve të Austinit.
Është interesant se duke u bazuar në videon, nuk është mundur fillimisht të zbulohet se Adler ishte jashtë qytetit.
“Duhet të qëndrojmë në shtëpi nëse mundemi. Nuk është koha të lirohemi”, thotë Adler në video.
Ai madje ka paralajmëruar qytetarëve se do të duhet të mbyll qytetin nëse nuk tregohen të kujdesshëm qytetarët. /Telegrafi/