Site icon Telegrafi

Kryetari i Preshevës: Debati për ndryshimin e kufijve me efekt negativ te shqiptarët e Luginës (Video)

Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, ka thënë se debati për ndryshimin e kufijve të Kosovës ka pasur efekt negativ te shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Arifi, në “Dossier D” me Fidan Ramën në RTV Dukagjini, ka thënë se debati për bashkimin e Preshevës me Kosovën ka lënë mbrapa shumë procese në Luginën e Preshevës.

“Situata ka stagnuar në shumë fusha. Disa projekte politike që kemi pasur me Serbinë për realizimin e të drejtave tona si shqiptarë në Luginën e Preshevës, kanë ngecur, janë ngadalësuar, ka humbur energjia. Edhe ndërkombëtarët tani kanë humbur vëmendjen, pasi sytë i kanë drejtuar nga ndryshimi i kufijve dhe te konsolidimi politik i qëndrimeve të tyre ndaj këtyre debateve”, tha ai, përcjell Telegrafi.

I pari i Preshevës ka thënë se edhe investimet kapitale janë ndalur në Preshevë, madje edhe qytetarët kanë hezitime të investojnë në pronat e tyre.

“Një pjesë e qytetarëve janë të dëshpëruar. Të tjerë janë në situatë të vështirë që nuk kanë mundur të investojnë në shtëpitë e tyre, apo të investojnë në vendin tonë [Preshevë]. Kemi pasur një rënie të investimeve në Preshevë për vitin 2018”, tha ai.

Arifi ka thënë se edhe rinia ka ikur nga Presheva dhe në përgjithësi debati për ndryshimin e kufijve ka pasur efekt negativ.

Ai ka thënë se edhe komunikimi i institucioneve të Kosovës me zyrtarët e Luginës së Preshevës është zbehur dhe nuk e ka ruajtur nivelin e fillimit.

“Debati i brendshëm në Kosovë, ka lënë nën hije shqiptarët e Preshevës. Komunikimi është zbehur dhe nuk është mbajtur siç ka qenë në fillim”, tha ndër të tjera kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi./Telegrafi/

Exit mobile version