Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, ka takuar sot ministren e Drejtësisë së Shqipërisë, Etilda Gjonaj, të cilën e njoftoi me zhvillimet në gjyqësorin vendor, luftën ndaj korrupsionit, procesin e reformimit të sistemit gjyqësor dhe sfidat aktuale në drejtësinë vendore.
Po ashtu, kreu i Supremes prezantoi para mysafirëve nga Shqipëria, progresin e shënuar nga gjykata që drejton, jo vetëm në zgjidhjen e lëndëve me kohë, por edhe në nxjerrjen e qëndrimeve parimore, si dhe udhëzimeve për të gjitha gjykatat në vend.
Sipas njoftimit për media, duke elaboruar procesin e verifikimit të integritetit të gjyqtarëve në Kosovë, në vitin 2010, kryetari Peci, nënvizoi sfidat e asaj periudhe, e cila përveç që kishte lënë sistemin me një numër të vogël gjyqtarësh, kishte ndikuar në grumbullimin e lëndëve nëpër gjykata dhe rrjedhimisht rënien e besimit të qytetarëve në drejtësi, si pasojë e zvarritjes së lëndëve me vite.
Megjithatë, kreu i Supremes, sqaroi se tanimë gjyqësori ka arritur të konsolidohet dhe numri i gjyqtarëve është dyfishuar.
Ndërsa, ministrja Gjonaj, ka potencuar angazhimin e Qeverisë shqiptare në reformën e sistemit të drejtësisë në Shqipëri, duke theksuar rëndësinë e procesit të vetingut që aktualisht po zhvillohet atje.
Sipas saj, procesi i vetingut në Shqipëri, ka pasur rezultatet mbresëlënëse dhe befasuese për shumëkënd, por njëkohësisht është mundësuar krijimi i mekanizmave garantues për transparencën dhe meritokracinë. Si progres, ministrja theksoi edhe ndarjen e politikës nga sistemi i drejtësisë.
Të dy bashkëbiseduesit janë dakorduar që Kosova dhe Shqipëria duhet thelluar bashkëpunimin me njëra-tjetrën dhe të shfrytëzojnë mundësitë e shumta për të rritur progresin në sistemin e drejtësisë në të dyja vendet./Telegrafi/