Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka qëndruar të martën në fabrikën M&Sillosi në Xërxë të Rahovecit.
Ai ka përcjellë procesin e sjelljes së grurit nga bujq të shumtë në hambarin më të madh në rajon, shkruan Klan Kosova.
“Është sezoni i korrje-shirjeve dhe kisha mundësi bashkë me stafin menaxhues të shoh se si po shkon grumbullimi i grurit dhe sa është sasia që po sillet. Unë u fascinova prej të dhënave që i pashë dhe prej planit që e kanë me shtrirje logjistike që do t’ua lehtësojnë shumë bujqve grumbullimin e grurit anembanë Kosovës”, deklaroi Rafuna.
Ai pohoi se Kosova duhet të krenohet që ka një biznes të tillë.
“Është kënaqësi, sa herë që vij këtu ndjehem shumë mirë dhe shumë krenar për të arriturat e M&Sillosit”, tha tutje ai.
Përndryshe, për rreth 10 ditë prej kur ka filluar grumbullimi i grurit, janë mbledhur më shumë se 10 mijë tonë drithë, derisa ky proces zgjatë rreth tre javë.