Site icon Telegrafi

Kryetari i LDK-së, Abdixhiku përkujton veprimtarin Shaban Manaj

Në 21 vjetorin e vrasjes, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku përkujtoi veprimtarin Shaban Manaj.

“Në korrikun e vitit 2000, në fillet e lirisë dhe shtetësisë së Kosovës, u shua një pishtar i këtij rrugëtimi. Veprimtari, atdhetari e avokati i shquar Shaban Manaj, u privua mizorisht nga jeta, që edhe sot e kësaj dite mbetet mister.

Shaban Manaj, ishte një personalitet i rrallë, punoi fort krah Presidentit Rugova, por rrugëtimin e nisur e ndali dora vrastare e atyre që nuk ia deshën të mirën Kosovës”, shkruan Abdixhiku.

Shaban Manaj me të drejtë për kontributin e tij për shtetin e Kosovës u dekorua me urdhrin e lartë shtetëror “hero i Kosovës”.

“Familjarët dhe bashkëpunëtorët e Shaban Manajt nuk mund të jenë asnjëherë të qetë pa zbardhjen e motivit dhe rrethanave të vrasjes së tij si dhe dënimin e atyre që kryen këtë akt barbar, ndërsa është obligim moral e ligjor i organeve kompetente të zbulojnë të gjitha vrasjet e të gjithë veprimtarëve që dhanë kontribut të jashtëzakonshëm në lirinë dhe shtetësinë e Kosovës”. /Telegrafi/

 

Exit mobile version