Site icon Telegrafi

Xhaferi merr pjesë në zbulimin e përmendores së Nënë Terezës në Poreç të Kroacisë

Fytyra dhe vepra e Nënë Terezës edhe sot ndihet dhe nderohet fuqishëm, jo vetëm te shqiptarët por edhe te të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë. Kur e kanë pyetur se çka duhet të bëhet që të ruhet paqja në botë, Nënë Tereza është përgjigjur, “Shkoni në shtëpi dhe duajeni familjen tuaj”.

Le të jetë ky mendim i Nënë Terezës udhërrëfyes edhe sot, për shkak se është po ashtu aktual si në vitin e largët 1979, porositi kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi në fjalimin me rastin e zbulimit të përmendores së Nënës Terezë në Poreç të Kroacisë.

Për ne shqiptarët, shtoi ai në fjalimin e vet, pa dallim se ku jetojmë dhe cilës fe i takojmë, a besoj se edhe për çdo njeri human, shenjtorja e bekuar Nënë Tereza është simbol i humanizmit pakufi, i dashurisë dhe kujdesit pikërisht ndaj atyre njerëzve ndaj të cilëve jeta ka qenë e pamëshirshme.

Siç informojnë nga Kabineti i tij, Xhaferi ka përkujtuar se Nëna Terezë ka lindur në Shkup, më 26 gusht të vitit 1910, si Gonxha Agnes Bojaxhiu, në familje të njohur shqiptare. Në moshën e saj 18 vjeçare, largohet nëpërmjet Zagrebit për në Dablin, ku u bashkëngjitet motrave nga Loreto-ja, ndërsa në vitin 1928, shkon në mision misionareje në Kalkutë, ku vepron deri në fund të jetës së vet. Në vitin 1950, në Kalkutë, e themelon rendin e misionareve “Misionare të dashurisë,” kurse motrat e atij rendi janë edhe sot të pranishme anembanë botës, por edhe në Maqedoni.

“Humanizmi i saj, kujdesi i saj për ata që përveç jetës lakuriqe, nuk kanë asgjë tjetër, përhapet shpejt, jo vetëm në Kalkutë, Indi, por nëpër tërë botën. Pikërisht për këtë, në vitin 1979 e pranon Çmimin Nobel për paqe ndërsa në vitin 1980 shpallet qytetare nderi e Shkupit”, theksoi kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi./Telegrafi/

Exit mobile version