Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës Rexhep Hoti, ka takuar Kryetarin e Komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma.
Sipas një njoftimi, Hoti në takim me kryetarin Suma biseduan për Garën Nacionale në Sport ku në këtë garë do të marrin pjesë të gjithë nxënësit e Republikës së Kosovës në katër sporte: futsall, volejboll, atletikë dhe shah. Gara do të organizohet në tri nivele duke filluar nga ai shkollor, komunal dhe republikan.
“Programi Nacional për Rininë është hartuar mbi dy parime themelore: gjithëpërfshirjen dhe vijueshmërinë. Tani në Garën Nacionale të Sportit nxënësit do të kenë mundësi që garat t’i zhvillojnë në formë të kampionateve duke u përcaktuar në njërin nga sportet që janë të parapara për këtë vit. Komuna e Hanit të Elezit ka arritur suksese në garat e organizuara. Në garën Nacionale të Kreativitetit Kulturor dhe Mendimit Kritik numri i nxënësve fitues nga kjo komunë ishte 289, kurse në Garën Nacionale të Diturisë kishte 170 nxënës fitues”.
E kryetari Suma, përveç që mirëpriti garat që do të mbahen në sport, falënderoi Koordinatorin Hoti që ka marrë hapa konkret për institucionalizimin e sportit në të gjitha shkollat e Republikës së Kosovës.
“Komuna e Hanit të Elezit do të vazhdojë të përkrah Programin Nacional për Rininë për të gjitha garat që do të organizohen në kuadër të tij. Ne do ta mbështesim këtë program sepse ai është nxitje dhe stimulim për nxënësin”, tha ai.
Duke u bazuar në garat e mbajtura përmes Programit Nacional për Rininë, numri i përgjithshëm i nxënësve fitues ishte 44,723. Çdo vend i parë në çdo kategori do të shpërblehet.