Telegrafi

Kryetari i KB Rahovecit me deklaratë falënderuese për të gjithë: Jemi gati për Superligë, na duhet palestra

Kryetari i KB Rahovecit, Bekim Hoxha, në një deklaratë të jashtëzakonshme pas ndeshjes historike ndaj KB Dritës e cila vulosi inkuadrimin e ekipit që ai udhëheqë në Superligë – ka falënderuar të gjithë për përkrahjen, teksa u shpreh se klubi po bën përgatitjet për Superligë.

Në falënderimin e tij publik Hoxha ka falënderuar lojtarët, trajnerin Valentin Spaqi, qytetarët e tifozët, ashtu sikurse sponsorët Stone Castle, Kuvendin Komunal, Rahoveci24 e RTV Dukagjinin.

Por, Hoxha ka kërkuar edhe përfundimin sa më shpejt të palestrës në Rahovec, që është e nevojës imanente për zhvillim të mbarë të garave në Superligë.

“Në emër të bordit të KB Rahovecit, së pari falënderoj djelmoshat tanë, trajnerin Valentin Spaqi dhe në veçanti tifozët tanë të mrekullueshëm ashtu sikurse edhe qytetarët e Rahovecit”.

“Mbrëmë tifozët dhe të gjithë ata që nuk kursyen nga vetja, ishin lojtari i gjashtë për ekipin, ku bashkë u mundësua që të shkruhet historia e sportit të Komunës së Rahovecit”.

“Po ashtu, dua të falënderoj sponzorin tanë Stone Castle që ka dy vjet që po na përkrah, Kuvendin Komunal të Rahovecit, pa harruar as portalin tonë Rahoveci24 që na përcolli në secilin hap të këtij suksesi. Falënderim special edhe për RTV Dukagjinin dhe gazetarin tonë të mirënjohur, Fidan Rama, i cili na ofroi përkrahje të pakompromist në promovimin e klubit”.

“Klubi tashmë po bën përgatitjet për Superligë. Por, këto përgatitje do të kishin më shumë kuptim, nëse sezonin e ardhshëm garat do t’i zhvillojmë në shtëpinë tonë, në Rahovec, gjë për të cilën klubi po shpreson shumë se punimet në palestër do të finalizohen së shpejti. Falënderojmë edhe FBK-në dhe të gjitha institucionet tjera për përkrahjen”.

“Faleminderit të gjithë atyre që na mundësuan të arrijmë këtë sukses historik për komunën tonë. Faleminderit Rahovec…

Me respekt,
Bekim Hoxha

Kryetar i KB Rahovecit”