Kryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Hamdi Ibrahimi, ka mbajtur sot një konferencë për media, për të sqaruar çështjen e banorëve të larguar nga banesat e uzurpuara në lagjen “Dardania” të kryeqytetit.
Ibrahimi tha se ka pranuar një kërkesë nga një grup qytetarësh të larguar ditë më parë, ku i është kërkuar që të ta ndërpresë procedurën e ekzekutimit dhe t’ju lejohet qëndrimi në këto banesa edhe për një vit.
Ai thotë se u ka qartësuar banorëve se një kërkesë e tillë nuk është kompetencë e tij dhe e gjykatës që ai drejton, duke shtuar se ai mund të përballet me përgjegjësi penale nëse nuk ekzekuton vendimet e formës së prerë.
Ai i ka cilësuar deklarata të pamatura komentet e kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili tha se kryetari i gjykatës nuk po e zbaton vendimin.
“Publikisht dal e them se gjykata po vepron sipas vendimit dhe se nuk ka kthim mbrapa”, tha Ibrahimi. /KP/