Telegrafi

Kryetari i FFK-së arsyeton hyrjen e Kadri Veselit në dhomat e zhveshjes së futbollistëve të Kosovës në Bullgari

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ka folur për herë të parë për hyrjen e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, në dhomat e zhveshjes të ekipit të Kosovës pas fitores ndaj Bullgarisë.

Ademi, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se duhet pasur parasysh se politika dhe institucionet shtetërore janë gjëra të ndryshme.

“Kryetari i Kuvendit përfaqëson një parti por ai parasegjithash përfaqëson institucionin. Edhe Ministri i Sportit i takon një partie por detyrimisht i takojnë disa atribute dhe më të duhet një lloj bashkëpunimi”, tha ai, përcjell Telegrafi.

I pari i FFK-së ka thënë se institucionet e kanë për obligim të ndërtojnë infrastrukturën sportive.

“Stadiumi “Fadil Vokrri” në Prishtinë është ndërtuar me mjetet e Qeverisë. Pastaj stadiumi “Adem Jashari” në Mitrovicë i cili është i kategorisë së katërt duhet të bëhet i kategorisë së dytë…Prandaj kjo klasë qeveritare apo politike ka bërë mjaftueshëm për futbollin. Është fakt i pamohueshëm dhe mund t’i falënderoj”.

Ademi ka thënë se klasa politike kanë qenë përkrahës dhe asnjëherë nuk i janë përzier në udhëheqjen e FFK-së.

Ai ka sqaruar edhe shpërndarjen e biletave VIP për politikanët apo personat e tjerë.

Lexo po ashtu Ademi: Detyrim shtetëror ta quajmë ekipin e Kosovës në futboll si Kombëtare e Kosovës

“Federata e Futbollit ka numër të caktuar të biletave VIP për institucionet. Kemi një memorandum me MKRS që të gjitha biletat VIP për institucionet i merr Ministria. Pjesa e Very VIP ndahet sipas protokollit shtetërorë si në të gjitha vendet e botës”, tha ndër të tjera Agim Ademi./Telegrafi/