Presidenti Agim Ademi priti sot në takim kryetarët e rizgjedhur dhe ata të posazgjedhur të shtatë Lidhjeve Rajonale të Futbollit.
Me këtë rast, presidenti Ademi u uroi punë të mbarë kryetarëve Ismajl Ajeti (LRF e Prishtinës), Mirsad Çollaku (LRF e Prizrenit), Avdi Gashi (LRF e Pejës), Malazog Hoxha (LRF e Gjilanit), Afrim Haliti (LRF e Ferizajt), Bardhec Seferi (LRF e Mitrovicës) dhe Agim Nura (LRF e Gjakovës) dhe u kërkoi që të jenë syçelë dhe kooperativë me ekipet dhe regjionet e tyre.
Njëkohësisht u dakorduan që të kompletohen me gjërat që ju nevojiten për një funksionim sa më të mirë.
Tash e tutje Lidhjet Rajonale të Futbollit do të kenë më shumë kompetenca se sa që kishin deri tani, e ato do të jenë më të theksuara sidomos tani me rritjen e numrit të klubeve në regjione.
Menaxhimi i Ligës së Tretë, Ligës së të rinjve, por edhe komisionet e garave janë disa nga kompetencat shtesë të regjioneve.
LRF-të do të jenë gjithmonë afër për t’i përmbushur kërkesat dhe nevojat që i kanë klubet dhe shkollat e futbollit, sidomos për infrastrukturë.
Presidenti Ademi theksoi se bashkërisht me LRF-të do të përkujdesen në arritjen e qëllimeve dhe realizimin e strategjisë së re të FFK-së. Në fund të këtij takimi atyre iu dhurua nga një stemë e FFK-së në shenjë të aprovimit në vendet e tyre të punës.