Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka pritur sot (e martë) në takim tashmë të emëruarin përzgjedhës të ri të Përfaqësueses së Kosovës, Primozh Gliha.
Gjatë këtij takimi ata diskutuan për vazhdimin e rrugëtimit të Kosovës në kualifikimet e Kampionatit Evropian 2024.
Paraprakisht, Gliha do të jetë i pranishëm në ndeshjet e ekipeve të Superligës për garat evropiane, e gjithashtu do të vizitojë edhe Kampin Nacional, atje ku kombëtaret tona zinxhirë po zhvillojnë aktivitetet e tyre dhe bashkërisht me ekipin e trajnerëve në përbërje të Afrim Tovërlanit, Arbnor Morinës, Ahmet Beselicës dhe Thomas Richards do të analizojnë me kujdes situatën në të cilën ndodhet Përfaqësuesja e Kosovës dhe do të shqyrtojnë mundësitë për të arritur objektivat e FFK-së.
Kryetari Ademi kërkoi nga përbërja e re udhëheqëse e ekipit përfaqësues që të jenë sa më të përpiktë dhe të veprojnë konform normativave të FFK-së për ekipin përfaqësues.
Gliha premtoi se do të punojë me shumë përkushtim dhe me të gjithë kapacitetin që ka ekipi përfaqësues për ta kthyer Kosovën në rrugën e fitores dhe për të arritur rezultate sa më pozitive. Ndonëse është shumë e vështirë arritja e objektivit, sipas Glihas, rrugëtimi ende nuk ka përfunduar.
Ai e konsideroi përparësi angazhimin disavjeçar në pozicione të ndryshme në futbollin e Kosovës, teksa e vlerësoi përzgjedhjen e ndihmësve të tij.
Gliha njëherësh ka kërkuar nga të gjithë futbollistët që ta respektojnë maksimalisht fanellën e Përfaqësueses së Kosovës dhe ta japin maksimumin.
Në ditët në vazhdim përzgjedhësi Gliha do të takojë ekipin e tij për të kërkuar nga afër përkrahjen, kapitenin Amir Rrahmani dhe futbollistët tjerë në vendet ku ata jetojnë dhe veprojnë, e po ashtu do të takojë edhe tifozët Dardanët për t’i njoftuar me vazhdimin e projektit për Kosovën në Evropian dhe për të kërkuar përkrahjen e tyre. /Telegrafi/