Telegrafi

Kryetari i FFK-së, Ademi prezanton përzgjedhësit e ri, Nees te Kosova U21 dhe Simitçiu te Kosova A në futsall

Kryetari i FFK-së, Agim Ademi ka bërë prezantimin e përzgjedhësve të rinj për Kosovën U21 dhe Kosovën A në futsall.

Kosova U21 siç paralajmëroi Telegrafi, tash e tutje do të drejtohet nga Michael Nees, i cili njëherësh është edhe drejtor teknik në FFK tash e katër vjet, derisa Kosova në futsall do të drejtohet nga trajneri i njohur, Arben Simitçiu.

Presidenti Ademi me rastin e prezantimit të përzgjedhësve të rinj ka falënderuar për punën e deritashme përzgjedhësit e U21, Rafet Prekazi e Erdogan Celina dhe përzgjedhësin e futsallit, Ramadan Cimili, teksa ka thënë se ata do të jenë pjesë e rëndësishme e federatës edhe në të ardhmen por në role tjera.

Ai ka thënë se ka qenë e nevojshme të bëhen ndryshime në kërkim të rezultateve dhe rritjes së përgjegjësisë.

“Sot kam kënaqësinë që t’i prezantoj përzgjedhësit e rinj të Kombëtares U21, Michael Nees dhe Kombëtares së futsallit, Arben Simitçiu. Përzgjedhësi i ri i Kombëtares U21 është një punëtor sportiv nga Gjermania, i cili tash e 4 vjet e ka dhënë kontributin e tij në FFK si drejtor teknik. Michael Nees ka përvojën e duhur në këtë aspekt, pasi ka qenë pjesë e Kombëtareve të Afrikës së Jugut dhe Izraelit dhe tani këtë përvojë të tij do ta bartë tek Kombëtarja U21 e Kosovës”.

“Ndërkaq, Arben Simtçiu, ka punuar me shumë sukses në Çeki dhe në shumë vende të tjera. Besoj që bashkëpunimi do të jetë jashtëzakonisht i mirë dhe përvoja e tij do t’i shërbejë ekipit kombëtar për të arritur në një nivel më të lartë”, ka theksuar presidenti Ademi. /Telegrafi/