Telegrafi

Kryetari i Ferizajt i tronditur nga vdekja e 4 qytetarëve, kërkon të zbardhen shkaqet që çuan në aksident

Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, shprehet se me dhimbje të madhe kanë pranuar lajmin për vdekjen e katër personave në një aksident trafiku në këtë komunë.

“Me dhembje të madhe, u njoftuam për aksidentin tragjik, pasditen e sotme në rrugën magjistrale Ferizaj-Shtime, përkatësisht në fshatin Koshare, ku humbën jetën tragjikisht 4 qytetarë dhe një tjetër u lëndua rëndë”.

Me këtë rast, përmes telegramit, kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ngushëllon familjarët e viktimave që humbën jetën në aksidentin rrugor të kësaj pasditeje dhe njëkohësisht uron shërim të shpejtë për të lënduarin.

Lexo po ashtu Katër të vdekur në një aksident në magjistralen Ferizaj-Shtime, një grua në gjendje të rëndë shëndetësore

“U trondita kur mësova lajmin se në rrugën magjistrale Ferizaj-Shtime, saktësisht në fshatin Koshare, sot, ndodhi një aksident me përmasa tragjike, e ku humbën jetën 4 qytetarë dhe një u lëndua rëndë. Të pikëlluar jemi sot të gjithë, nga ky aksident tragjik. Jemi me familjarët e viktimave në këto orë të rënda për to. Presim që sa më parë të zbardhen shkaqet që çuan në aksident dhe apelojmë për shtim të kujdesit në trafik. Njëkohësisht i urojmë shërim të shpejtë të lënduarit nga ky aksident. Ngushëllime të sinqerta familjarëve, miqve e të njohurve të viktimave që humbën jetën sot tragjikisht në këtë aksident rrugor” përfundon telegrami i ngushëllimit./Telegrafi/