Presidenti i Partisë Popullore Evropiane (EPP), Manfred Weber, ka thënë se nga Serbia pritet që të rregullojë marrëdhëniet e saj me Kosovën dhe të kuptojë se është shtet.
Weber, që është edhe deputet i Parlamentit Evropian, i pyetur nga “N1” se çfarë duhet të bëjë Serbia që të përmbush rekomandimet nga Raporti i Progresit i Komisionit Evropian ka thënë se pikat konkrete të përcaktuara nga Komisioni Evropian duhet të zbatohen, transmeton Telegrafi.
“Raporti i Progresit i javës së kaluar ishte një mesazh i qartë se çfarë pritet nga Serbia, veçanërisht në lidhje me Kosovën dhe perspektivës së gjerë në rajon, për të sqaruar situatën në Kosovë, marrëdhëniet ndaj Kosovës. Për këtë çështje presim mesazhe dhe hapa të qarta nga Serbia, për të kuptuar se Kosova është shtet dhe se si e tillë është pranuar nga shumica e shteteve anëtare të BE-së”, ka thënë ai.
Ai tha se EPP është një parti që mbron zgjerimin që do të sillte stabilitet në Bashkimin Evropian të sotëm dhe se ata e shohin zgjerimin nga një kënd gjeopolitik.
“Ka shumë zhgënjim në Ballkanin Perëndimor. Duhet të them se kjo është edhe për shkak të sjelljes së disa anëtarëve të Bashkimit Evropian. Ne duhet ta kapërcejmë atë, duhet t’i kthehemi mënyrës së vjetër të të menduarit kur ia ofruam Bashkimit Evropian 10 anëtarë pas rënies së Murit të Berlinit dhe kjo ishte e mirë për të gjithë. Kjo mënyrë e të menduarit për zgjerimin tani duhet të zbatohet edhe në Ballkanin Perëndimor, Moldavi, Ukrainë dhe vende të tjera”, shtoi ai./Telegrafi/