Komuna e Klinës vazhdon të dëshmojë performancë të lartë në qeverisje, duke u renditur sërish ndër komunat më të mira për vitin 2023.
Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, përmes një postimi në Facebook, bëri të ditur se edhe këtë vit, Klina nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal është përfituese e Grantit të Performancës Komunale.
“Me ministrin e MAPL-së, Elbert Krasniqi, nënshkruam Memorandum bashkëpunimi për Grantin e Performancës, për vitin 2023, ku komuna e Klinë, si rezultat i punës së mirë, ka përfituar grant në vlerë mbi 378 000 euro”, ka shkruar Elezaj.
Kryetari Elezaj falënderoi Ministrin Krasniqi për bashkëpunimin dhe vlerësimin e drejtë të performancës komunale, duke theksuar se kjo arritje është dëshmi e një qeverisjeje të mirë, transparente dhe të llogaridhënëse.
Ai shtoi se fondet e fituara do të përdoren për realizimin e projekteve infrastrukturore në përputhje me kërkesat e qytetarëve, duke synuar përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimeve lokale. /Telegrafi/