Telegrafi

Kryetari i Dojranit nuk lejon referendumin për xeheroren Kazandoll

Në vend të referendumit më 18 qershor, ashtu siç u votua në këshillin e komunës, kjo do të jetë një fundjavë e zakonshme për Dojranin pasi që kryetari i komunës Borçe Stamov nuk e ka nënshkruar vendimin e këshillit dhe nuk i ka lajmëruar, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Qytetarët e Dojranit gati se një muaj u përgatitën për referendum, por ai nuk do të mbahet, gjë të cilën e kanë kuptuar rastësisht te shërbimi ligjor i komunës për të kërkuar të dhëna për vend votimet në komunë.

Të punësuarit e komunës nuk e dinë se pse nuk është nënshkruar vendimi dhe thonë se Stamov as që është shfaqur në mbledhjet e kuvendit dhe nuk kanë mundur as të konsultohen për referendumin.

Kryetari i komunës së Dojranit nuk ju përgjigjet telefonatave të televizionit Telma për atë se pse Dojrani po përgatitet por nuk do të ketë referendum për xeheroren Kazandoll. Opstrukcione të tilla vërehen edhe në Vallandovë ku kryetarja e këshillit nuk e aprovon referendumin edhe pse iniciativa për Shpëtim të Vallandovës ka mbledhur mbi 2000 nënshkrime. Aktivistët qytetarë për nesër paralajmëruan bllokimin e rrugëve në shenjë revolte./Telegrafi/