Site icon Telegrafi

Kryetari i Bordit të RTK-së tha se po merr informata se punëtorët po vijnë me pizhama dhe minifunde në punë – Sindikata kërkon dorëheqjen e tij

Sindikata e Pavarur e RTK-së, ka kërkuar që kryetari i Bordit, Besnik Boletini të lirojë pozitën pasi deklaratës së dhënë për punëtoret e RTK-së.

Sindikata njofton se, në takimin e Bordit të mbajtur me datë 6 shtator 2023, në praninë e vëzhgueses së Sindikatës si dhe të gazetares së BIRN-it, kryetari Besnik Boletini ka deklaruar:

“Mendoj se duhet të marrim një vendim për raport mujor të secilit punëtor në RTK sepse unë përditë marr informacione se punëtorët vijnë me pizhame, miniqa, vijnë bëjnë check out dhe kjo është e papranueshme”.

Në reagim thuhet se “kjo deklaratë e kryetarit të Mediumit të vetëm Publik në vend është fyerje për rreth 800 të punësuar të RTK-së”.

Sipas Sindikatës së Pavarur të RTK-së, ky është skandali i dytë i drejtorit Besnik Boletini.

“Ky është skandali i dytë brenda pak kohësh i kryetarit të Bordit, Besnik Boletini në raport me të punësuarit e RTK-së. Gjatë procesit të konkursit për njërën prej pozitave udhëheqëse të RTK-së, kryetari Boletini e kishte thirrur në bisedë informative kandidaten, Ilire Zajmi e cila kishte dalur e para ne listë, duke i thënë asaj se procesi i konkursit është i kontaminuar”, vijon reagimi.

Sindikata ka kërkuar nga drejtori Besnik Boletini që ta lirojë postin.

“Pas këtyre veprimeve të njëpasnjëshme, skandaloze, Sindikata kërkon nga Kryetari, Besnik Boletini që menjëherë ta lirojë postin e kryetarit të Bordit.Në të kundërtën ne si Sindikatë do të ndërmarrim veprime radikale ligjore, përfshirë protestat dhe grevën. Në krye të institucioneve publike nuk kanë vend personat që fyejnë e denigrojnë vartësit e tyre. Në mediumin Publik nuk kanë vend personat që i portretizojnë vartësit e tyre si mashtrues e pa punëtorë. Në Mediumin Publik nuk kanë vend ata që i portretizojnë gratë (vartëset e tyre) si seks-simbole”, thuhet tutje në reagim.

Në reagim theksohet se mediat kanë rol t’i promovojnë gratë, t’u krijojnë hapësira ku ato ndihen të sigurta e jo të fyera të demotivuara e të kërcënuara.

“Këtë mendësi primitive duhet ta luftojmë të gjithë së bashku si institucione e shoqëri, dhe jo vetëm punëtorët e RTK-së”, thuhet mes tjerash në reagimin e Sindikatës së Pavarur të RTK-së.

SPRTK në veçanti kërkon nga Kuvendi i Kosovës, Presidenca, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, Rrjeti i Grave, Agjencia për Barazi Gjinore, Institucioni i Avokatit të Popullit, KMDLNJ dhe OSBE që të reagojnë dhe ta dënojnë këtë gjuhë të ulët, denigruese të kryetarit të Bordit, Besnik Boletini ndaj punëtorëve të RTK-së. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version