Vazhdon edhe më tutje zvarritja për ndërtimin e Xhamisë së Madhe në Prishtinë.
Bashkësia Islame e Kosovës, për ndërtimin e kësaj xhamie, që nga viti 2012 kur është vënë gurthemeli i saj, ende nuk ka aplikuar për leje të ndërtimit të saj. Kështu i tha Radio Kosovës kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Ende nuk ka filluar ndërtimi i Xhamisë së Madhe në Prishtinë, ani pse gurthemeli i saj ishte vënë në vitin 2012.
Kryetari Ahmeti në një prononcim për Radio Kosovën ka bërë të ditur se BIK-u ende nuk ka kërkuar leje për të filluar punimet e rreth ndërtimit të kësaj xhamie.
“Bashkësia Islame ende nuk ka aplikuar për leje, kur të vijnë me aplikim, atëherë e shohim sa është brenda planit, brenda kushteve që u kemi lëshuar, pastaj i kemi obligimet tona ligjore”, tha Ahmeti.
Ai tha se nuk e di se pse Bashkësia Islame nuk ka aplikuar për leje ndërtimi, por ai mendon se shkak i kësaj zvarritjeje mund të jetë ndryshimi i projektit.
“Nuk e di për çfarë arsye nuk ka ardhur aplikimi, a nuk e kanë përfunduar projektin apo e kanë ndryshuar, mbetet të presim!”, tha ai.
Radio Kosova ka provuar të kontaktojë me zyrtarë nga Bashkësia Islame e Kosovës për të mësuar hollësi rreth kësaj çështjeje, por askush nga ky institucion nuk është prononcuar.
Ndryshe, për ndërtimin e Xhamisë së Madhe, në vitin 2013 në konkurs, asnjë projekt nuk kishte zënë vendin e parë, por kishte vetëm vend të dytë dhe tretë. Megjithatë, një kompani fituese që u zgjodh thuhet se është nga Turqia, por nuk ka detaje më shumë.
Kjo xhami është paraparë që të ndërtohet në Prishtinë, në lagjen Ulpiana, afër Postës së Madhe, në hapësirë prej 81 ari tokë. /RTK/Telegrafi/