Kryetarët e komunave të rajonit të Pollogut kërkojnë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës që pushimi dimëror të jetë më i gjatë ose të ketë mësim online për nxënësit, me qëllim që shkollat të mos kenë shumë harxhime gjatë periudhës së dimrit.
Për këtë temë sot është diskutuar në seancën e Këshillit për Zhvillimin e Rajonit të Pollogut, ndërsa ideja ka ardhur nga kryetari i Gostivarit Arben Taravari, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Pasi faturat e rrymës janë më të larta se vitin e kaluar, vendosëm si ide që pushimet dimërore të fëmijëve të zgjasin dy muaj – dhjetor dhe janar ose janar dhe shkurt, në mënyrë që fëmijët të kenë pushime më të shkurtra gjatë verës dhe viti shkollor të zgjat deri më 30 qershor, ndërsa viti i ri shkollor të fillojë më 15 gusht”.
“Ose ndoshta tre muajt dhjetor, janar dhe shkurt të jenë online. Jemi pak a shumë të dixhitalizuar, kemi eksperienca të mira gjatë pandemisë dhe pse jo tani sërish në drejtim të kursimit të energjisë elektrike për të mbajmë mësim online. Do të kemi nevojë për përkrahje nga Ministria dhe BNJVL, ndërsa neve na përkrahin edhe kryetarët e tjerë”, tha Arben Taravari.
Ndryshe, në seancën e Këshillit të Rajonit Planifik u debatua për mundësinë e një projekti të ri për menaxhimin e mbetjeve, si dhe bashkëpunimin rajonal për trajtimin e qenve endacakë.