Kryetarët e komunave nga rajoni e Pollogut kanë formalizuar iniciativën për të përmirësuar bashkëpunimin ndër komunale në menaxhimin e përmbytjeve dhe rreziqeve tjera shoqëruese, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Nëpërmjet formimit të mekanizmave të përbashkëta dhe funksionale, komunat do të ndajnë burimet, siç thanë ata, duke rritur efektet e mbrojtjes nga përmbytjet dhe shfrytëzimin e potencialit për zhvillimin e rajonit.
Kjo nismë është mbështetur nga UNDP në kuadër të projektit “Përmirësimi i rezistencës ndaj përmbytjeve në rajonin e Pollogut”, financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe Sekretariati Zviceran për Çështjet Ekonomike.
Në takimin e punës, çka u mbajt në Tetovë, u shikuan qëllimi i tërë projektit, si dhe rezultatet nga analizat e përmbytjeve në rajon. U hap debat për masat që duhet të implementohen në vitet e ardhshme si përgjigje ndaj rreziqeve, si dhe roli i komunave dhe institucioneve tjera çka do ta kenë në realizimin e tyre. /Telegrafi/