Site icon Telegrafi

Kryesuesja e dorëhequr e bordit të OSHP-së, sërish kandidate

Qeveria e Kosovës ka dërguar emrin e ish-kryesueses së bordit të OSHP-së, Vjollca Kurtishaj, e cila kishte dhënë dorëheqje dy vjet më parë, sërish për të marrë këtë pozitë. E njëjta ka bashkëshortin e angazhuar si ekspert i jashtëm në OSHP.

Emri i ish-kryesueses së bordit të OSHP-së, Vjollca Kurtishaj, e cila në vitin 2014 kishte dhënë dorëheqje pas shtatë muajsh në këtë pozitë për shkaqe të pasqaruara, është dërguar nga Qeveria e Kosovës për miratim në Parlamentin e Kosovës për të njëjtën pozitë. Ajo ka të angazhuar në OSHP si ekspert të jashtëm edhe burrin e saj Muhamet Kurtishaj. Pos saj, Qeveria i ka dërguar edhe avokatin Agim Shala për miratim në Parlamentin e Kosovës, pas dorëheqjes së kryetarit të OSHP-së, Hysni Hoxha, i cili ngarkohet me dy aktakuza për korrupsion.

Vjollca Kurtishaj para se të jepte dorëheqje nga bordi i OSHP-së, me datë 22.03.2014, kryesuesi i sekretariatit të OSHP-së, Ardian Breha, kishte kërkuar nga Agjencia Kundër Korrupsionit interpretim ligjor lidhur me atë se a paraqet konflikt interesi për Vjollca Kurtishajn angazhimi i bashkëshortit të saj si ekspert teknik në ekspertizat të OSHP-së. Gazeta “Zëri” ka mësuar se AKK-ja kishte konstatuar se nuk ka konflikt të pastër interesi, por se ai mund të paraqitet në rrethana të caktuara.

“Nuk ka konflikt të interesit faktik as të vazhdueshëm në ushtrimin e funksionit publik të anëtarit të bordit të OSHP-së dhe kandidatit për ekspert teknik në OSHP, por ka konflikt interesi të mundshëm që mund të paraqitet për rast gjatë ushtrimit të funksionit publik. Për t’u parandaluar ai, zyrtari i lartë është i obliguar që ta deklarojë atë. Kjo po ashtu lidhet edhe me rregullat e etikës”, thuhet në vendimin e AKK-së. Zyra e informimit e Organit Shqyrtues të Prokurimit ka pranuar për gazetën “Zëri” se Muhamet Kurtishaj bën ekspertiza për OSHP-në. /Telegrafi/

Exit mobile version