Site icon Telegrafi

Kryeson Ohri, Tetova e dyta me borxhe më të larta

Edhe përkundër premtimeve të kryeministrit Zoran Zaev për ndihmë ndaj komunave që kanë borxhe të larta dhe punojnë me xhirollogari të mbyllura, asgjë konkrete deri tani nuk është ndërmarrë. Komuna të shumta kanë borxhe të larta madje nga 1 milion euro e deri më 11 milionë euro dhe puna e tyre normale është vështirësuar dukshëm, shkruan gazeta KOHA.

Tani, gati tre vite pas marrjes së pushtetit, kryeministri Zaev ka ndërruar fjalët. Nëse në 2017 premtoi 120 milionë euro ndihmë për komunat, tani thotë se alternativa e vetme për të ndihmuar në shlyerjen e borxheve të mbetura nga komunat është rishikimi i Buxhetit që duhet të bëhet në muajin tetor të këtij, edhe përkundër faktit se akoma nuk ka një shifër konkrete se sa pushteti lokal i detyrohet furnizuesve. Jozyrtarisht, kjo shifër sillet diku mbi 100 milionë euro.

“Zgjidhja përfundimtare për ato komuna që kanë borxhe të mbetura të pashlyera do të realizohet sipas mënyrës që do ta vendos Qeveria, gjegjësisht ndihmës financiare se si të kthehen borxhet e vjetra. Borxhi më i madh i komunave është borxhi që kanë shkollat, kopshtet dhe çerdhet për fëmijë, si dhe institucionet e tjera arsimore. Besoj se me Rebalancin që do të bëhet në tetor, do të sigurohen mjete financiare dhe njëherë e përgjithmonë të zgjidhet ky problem”, deklaroi kryeministri i Qeverisë së Maqedonisë, Zoran Zaev.

Në anën tjetër, komunat nuk e respektojnë Ligjin për disiplinë financiare, pasi asnjëra nga ato nuk ka publikuar harxhimet, detyrim ky i dalë nga një vendim qeveritar dhe i mbështetur me ligj konkret. Të dhënat e fundit rezultojnë se 25 komuna kanë borxhe minimum nga 1 milion euro dhe maksimum nga 11 milionë euro. Raporti i fundit i Revizionit shtetëror tregon se situata në teren është shumë e rëndë, pasi jo vetëm që kanë borxhe të pashlyera, por edhe më tej futen në borxhe të reja. Po sipas këtij Raporti, në vitin 2016 komunat kanë borxhe të pashlyera ndaj furnizuesve mbi 80 milionë euro dhe nëse llogariten edhe kamatat, borxhi mund të tejkalojë vlerën mbi 100 milionë euro.

“Ekzistojnë jopërputhshmëri në evidencat e shifrave që kanë komunat dhe Ministria e Financave. Mbi 95 për qind të borxhit është ndaj kompanive vendore, të cilat kanë qenë të angazhuara dhe kanë punuar në emër të komunave”, thuhet në Raportin e Revizionit shtetëror. Sipas këtyre të dhënave, Ohri është komuna që ka borxh më të lartë dhe atë 11 milionë euro. Borxhliu i dytë më i madh, transmeton KOHA, është Komuna e Tetovës me 8 milionë euro. Komuna e tretë që ka borxh të lartë është Karposhi me 7.7 milionë euro, e pasuar nga Struga me 3.6 milionë euro, derisa Komuna e Çairit ka borxh në vlerë prej 2.3 milionë euro dhe Kumanovës 2 milionë euro. Ndërkohë, 20 komunat tjera kanë borxhe në vlerë mbi 1 milion euro./koha.mk/

Exit mobile version