Telegrafi

Kryesojmë CEFTA-n pa probleme

Kosova ka marrë kryesimin e CEFTA’s, ndonëse ende nuk dihet modeli i mbajtjes së këtyre takimeve. Vendimin duhet ta marrë Qeveria e Kosovës, e cila ka pranuar kërkesën nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë për caktimin e këtij modeli. Edhe pse Serbia ishte kryesuese në vitin që lamë pas, kjo nuk ka sjellë asnjë problem për mosdorëzimin e kryesimit te përfaqësuesit e Kosovës.

Ky kryesim mund të jetë edhe një mundësi për zhbllokimin e eksportit të mallrave në dy shtetet fqinje, të cilat ka dy vjet që u kanë vënë bllokadë produkteve kosovare. Në një intervistë për Express, drejtori i Departamentit të Tregtisë në MTI, Flamur Keqa, thotë se që nga 1 janari i këtij viti, Kosova ka marrë kryesimin e këtij mekanizmi ndërrajonal, i cili do të zgjasë deri në fund të vitit 2011.

Tregon se sipas planit, aktivitetet e kësaj marrëveshjeje fillojnë nga fundi i tremujorit të parë të vitit dhe intensiteti i këtyre takimeve, thotë se do të jenë në 3-mujorin e dytë.

Keqa pranon se në rast të ndonjë problemi për shkak të rrethanave politike, këtë mund ta bëjë edhe Shqipëria. “Ekzistojnë opsione të ndryshme në rast të ndonjë problemi politik, por nuk besoj se do të jemi peng e ndonjë vendimi të gabuar politik, sepse e vetmja çështje që ka mbetur pezull për momentin është vendimi politik i Qeverisë lidhur me formën e mbajtjes së takimeve në CEFTA’s dhe unë pres që sapo të krijohet Qeveria e re, do të merret një vendim që normalisht nuk cenon aspektin shtetëror të Kosovës”, thotë Keqa.

Kryesimin e kësaj marrëveshjeje për tregti të lirë, para Kosovës e ka pasur Serbia. Por kjo, sipas Keqës, nuk do të krijojë problem për dorëzimin e kryesimit. Sipas tij, edhe pse UNMIK’u, është nënshkrues i saj, nuk do të ketë rol në kryesim. /Telegrafi/