Site icon Telegrafi

Kryesisë së PDK-së i shtohen Kadri Kastrati dhe Abelard Tahiri

Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës i janë shtuar edhe dy anëtarë të rinj.

Në prag të konventës zgjedhore të PDK-së, pjesë e kryesisë së këtij subjekti politik janë bërë edhe ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati, si dhe ish-shefi i kabinetit të presidentit Thaçi, Abelard Tahiri.

Nga burime brenda PDK-së, Telegrafi mëson se Kastrati dhe Tahiri janë bërë anëtarë të rinj të kryesisë me propozim të vetë liderit të kësaj partie, Kadri Veselit.

Ish-kreu i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati, deri më tani i ka qëndruar gjithnjë besnik uniformës ushtarake.

Ai ishte oficer i karrierës dhe ka punuar në detyra të ndryshme në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Në korrik të vitit 2012, Kastrati kishte marrë mirënjohjen më të lartë nga shteti slloven, “Medaljen për bashkëpunim ndërkombëtar të gradës së parë”.

Kurse, Abelard Tahiri ka qenë njëri prej njerëzve më të afërt të presidentit Thaçi.

Ai ka qenë shef i stafit dhe këshilltar politik i Thaçit edhe në kohën kur ishte Kryeministër i Kosovës.

Tahiri gjithmonë është parë si njëri prej “motorëve” kryesorë në ekipin e Thaçit dhe ishte njeriu kryesor i fushatës së tij në zgjedhjet e vitit 2014-të.

Pas këtyre zgjedhjeve, nga pozita e tij si shef i kabinetit të Thaçit, sa Thaçi ishte zëvendëskryeministër, Tahiri është dalluar për reagime të ashpra kundër opozitës, sidomos gjatë protestave të tyre. /Telegrafi/

 

Exit mobile version