Telegrafi

Kryesia merr vendim: Kuvendi nesër mban dy seanca të jashtëzakonshme

Kryesia e Kuvendit të Kosovës, e drejtuar nga kryeparlamentari Kadri Veseli, ka mbajtur sonte një mbledhje të dytë, në të cilën ka shqyrtuar kërkesën e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj për mbajtje të seancës së jashtëzakonshme.

“Konform praktikave dhe sipas kërkesës së parashtruar, seanca do të mbahet të martën, më 4 shtator 2018, në orën 9:00, në të cilën do të shqyrtohet Propozim-vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e Ekipit Negociator për Normalizimin e Marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”, thuhet në njoftim.

Kujtojmë se Kryesia e Kuvendit, sot po ashtu ka marr vendim që seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga opozita për ” angazhimet e Presidentit të Kosovës për përfshirjen e shkëmbimit të territoreve, apo korrigjim të kufijve në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë”, të mbahet nesër nga ora 10:00. /Telegrafi/