Telegrafi

LDK bën homazhe në Prekaz: Familja Jashari ktheu sytë e botës demokratike drejt Kosovës

Në ditën e tretë të Epopesë së lavdishme të UÇK-së, anëtarë të Kryesisë të LDK-së kanë bërë homazhe te Kompleksi Memorial në Prekaz dhe kanë vizituar familjen Jashari.

Në emër të kryesisë, sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri, ka falënderuar Rifat Jasharin për pritjen.

Ai ka vlerësuar lart veprën sublime të familjes Jashari, vepër e cila bëri ndryshime në historinë e kombit shqiptarë.

“Familja Jashari dha gjithçka për këtë vend”, tha Beqiri.

Nga ana e tij, Rifat Jashari, kërkoi unitet nga e gjithë skena politike për të ndërtuar dhe zhvilluar shtetin tonë.

“Lidhja Demokratike e Kosovës shpreh mirënjohje dhe i përulet veprës sublime të familjes Jashari. Në Prekaz kishte filluar kthesa e madhe dhe familja Jashari kishte kthyer sytë e botës demokratike drejt Kosovës”, thuhet në njoftimin e LDK-së. /Telegrafi/