Telegrafi

Kryesia e Kuvendit mblidhet sot pa prezencën e mediave

Foto: Arkiv

Kryesia e Kuvendit të Kosovës sot do të mbajë mbledhje në ora 11:00 për të shqyrtuar kërkesën e Partisë Demokratike të Kosovës për seancë të jashtëzakonshme për miratimin e pakos financiare emergjente.

Por në këtë mbledhje nuk do të lejohen mediat për shkak të situatës me pandeminë COVID-19.

Në rend dite janë kërkesa e Grupit Parlamentar të PDK-së për seancë të jashtëzakonshme dhe ndërmarrja e veprimeve sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, rasti nr.KO54/20, të datës 6 prill 2020.

“Ju njoftojmë se për shkak të situatës pandemike dhe masave për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19, nuk do të ketë prezencë të mediave në mbledhjen e nesërme të Kryesisë së Kuvendit (shih rendin e ditës në kalendar, në ueb-faqe). Pas mbledhjes, mediat dhe publiku do të njihen me vendimet e Kryesisë, nëpërmjet komunikatës. Kërkojmë mirëkuptimin tuaj!”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.