Site icon Telegrafi

Kryesia e Kuvendit mblidhet nesër për të shqyrtuar kërkesën e LDK-së për seancë

Foto: Arkiv

Kryesia e Kuvendit të Kosovës, nesër do të mblidhet për të shqyrtuar kërkesën e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës për thirrjen e seancës për votimin e qeverisë së re.

Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, Artan Murati, këshilltar i kryeparlamentares, Vjosa Osmani.

“Nesër do të mblidhet Kryesia e Kuvendit në ora 10:00”, tha ai.

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi ka thënë sot se kanë kërkuar që seanca të mbahet ditën e mërkurë.

“Pas marrjes së Aktgjykimit në emër të LDK-së kam dorëzuar kërkesën për seancë për të mërkurën në orën 11:00 me të vetmen kërkesë të rendit të ditës, votimin e Qeverisë së re”, ka thënë Gashi.

Gashi ka thënë se e kanë të garantuar formimin e qeverisë. Ai ka shtuar se nesër në mbledhjen e Kryesisë së LDK-së do të zyrtarizohen edhe emrat e ministrave nga ana e LDK-së.

Ndryshe, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar sot Aktgjykimin e plotë lidhur me vendimin e marrë për dekretin e presidentit Hashim Thaçi për mandatimin e Avdullah Hotit për kryeministër.

Në Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetueses thuhet se dekreti i presidentit është në përputhje me Kushtetutën. /Telegrafi/

Exit mobile version