Telegrafi

Mbledhja e Kryesisë mbahet të martën, Nisma Socialdemokrate thotë se ka kushte për mbajtën e seancës për mocionin

Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mbajë të martën mbledhje për të caktuar seancën për votimin e mocionit të mosbesimit, iniciuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës për rrëzimin e Qeverisë Kurti. Kjo nëse Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike do të jap përgjigje pozitive, pasi kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani, ka kërkuar nga ekspertët rekomandime, nëse mund të mbajnë ose jo seancë në këto kushte.

Kryesia e Kuvendit do të mblidhet të martën në ora 14:00, ndërsa deputeti i Nismës Socialdemokrate, Endrit Shala tha se në sallën e Kuvendit ka hapësirë të mjaftueshme dhe duhet të fillojnë përgatitjet në mënyrë që të caktohet data e seancës.

“Ftesë nuk kemi marrë. Dje ka kalu veç ai afati 48-orësh që e parasheh rregullorja e Kuvendit që mocioni duhet të thirret, jo më herët se 48 orë dhe jo më vonë e 5 ditë. Pa u thirr seanca është e pamundur, deputetët e kanë dorëzu një mocion dhe seanca duhet me u mbajt, është obligim kushtetues i Kryesisë së Kuvendit dhe kryetares së Kuvendit me mbajt. Për çdo veprim tjetër e shkel Kushtetutën, por unë besoj që kryetarja e Kuvendit nuk ka me ba veprime antikushtetuese”, u shpreh Shala.

Lexo po ashtu Mocioni i mosbesimit për rrëzimin e Qeverisë Kurti (Dokument)
“]

Shala kërkuar nga kryetarja që administrata e Kuvendit të fillojnë përgatitjet për mbajtjen e seancës. Ai tha se do të duhej të kishte dezinfektues për secilin deputet në sallë, ndërsa sa i përket mbajtjes së distancës mes deputetëve, ai tha se ka hapësirë të mjaftueshme.

“Ju e dini që salla e Kuvendit ka hapësirë të mjaftueshme, deputetët munden me shfrytëzu edhe pjesën që është për mysafirë edhe atë pjesën nalt që është e gazetarëve, me qëllimin që me pas një hapësirë, largësi mes deputetëve që të ketë mbarëvajtje sa më të mirë e të sigurt të seancës. Pra, seanca duhet të mbahet dhe kryetarja ta thërret në afat sa më të shpejt seancë”, tha Shala.

Çka parasheh Kushtetuta për mocion mosbesimi?

Mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë, sipas Kushtetutës, mund të ngrihet me propozimin e një të tretës (1/3) të të gjithë deputetëve të Kuvendit.

Mocioni i mosbesimit vihet në rendin e ditë të Kuvendit, jo më vonë se pesë (5) ditë e as më herët se dy (2) ditë nga data e parashtrimit të tij.

Konsiderohet se mocioni i mosbesimit është pranuar, nëse për të kanë votuar shumica e të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Nëse mocioni i mosbesimit dështon, mocioni tjetër i mosbesimit nuk mund të ringrihet gjatë nëntëdhjetë (90) ditëve të ardhshme.

Nëse mocioni i mosbesimit votohet për Qeverinë në tërësi, Qeveria konsiderohet në dorëheqje. /Telegrafi/