Delhi është cilësuar si kryeqyteti më i ndotur në botë për vitin 2023, pasi India dhe e gjithë Azia Jugore vazhdojnë të përballen me ajrin toksik.
Një raport për qytetet më të ndotura në mbarë botën nga IQAir, grupi monitorues i cilësisë së ajrit me bazë në Zvicër, zbuloi se nëntë nga dhjetë qytetet më të ndotura janë në Indi.
Delhi u rendit si qyteti i tretë më i ndotur në përgjithësi dhe si kryeqyteti më i ndotur në botë, shkruan skynews, përcjell Telegrafi.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) thotë se vendet duhet të synojnë uljen e nivelit të ndotjes pasi ai po e rrit numrin e njerëzve të prekur nga astma, kanceri, sëmundjet e mushkërive, sulmet në tru, dhe sëmundjet e tjera.
Gjithashtu, OBSH-ja vuri në dukje se grimcat PM2.5 mund të mbulojnë mushkëritë dhe të hyjnë në qarkullimin e gjakut.
Ndryshe, Delhi përballet me cilësi të dobët të ajrit gjatë gjithë vitit, por dimri zakonisht e gjen vendin në gjendje më të keqe. Madje, në fund të vitit të kaluar, për shkak të ajrit toksik janë mbyllur edhe shkollat.
Sipas British Medical Jorunal, 2.8 milionë vdekje në Indi i atribuohen vetëm ndotjes së ajrit, pothuajse 30 mijë vdekje në vit, duke lënë të nënkuptohet se një prej shkaqeve të vdekjeve më të shpeshta në Indi është ndotja e ajrit.
Të dhënat e raportit janë mbledhur nga më shumë se 30,000 stacione monitorimi të cilësisë së ajrit të pozicionuar në 134 vende, rajone dhe territore. /Telegrafi/