Kryeqyteti i Kosovës ka nderuar sot me një akt solemn sakrificën e pavdekshme të familjes Jashari, një ngjarje që mbetet një pikë kthese në historinë e luftës për liri dhe pavarësi.
Në një seancë solemne të Kuvendit të Kryeqytetit, liderët institucionalë dhe qytetarët i dhanë nderimin më të lartë familjes Jashari për kontributin e jashtëzakonshëm që ata dhanë për lirinë e Kosovës.
Ky akt i nderimit vjen si një përpjekje e vazhdueshme e institucioneve për të ruajtur dhe promovuar trashëgiminë kombëtare, veçanërisht nëpërmjet nderimit të heronjve të cilët dha jetën për lirinë e atdheut. Kryeqyteti ka caktuar tashmë lokacionin për monumentin e Heroit Legjendar “Adem Jashari”, që do të jetë një simbol i përjetshëm i sakrificës dhe heroizmit të tij.
Telegrafi ka mësuar se lokacioni do te jetë kjo hapësirë mbi nënkalimin në rrugën Agim Ramadani që do të emërohet sheshi “Adem Jashari”.
Lokacioni i monumenti i Adem Jasharit, qe do të ngritet në Kryeqytet, ka marrë pëlqimin edhe nga vetë familja Jashari, si një shenjë e respektit dhe nderimit për këtë familje të madhe dhe të lavdishme. Lokacioni është zgjedhur me kujdes për të siguruar që ky monument të mbetet një pikë referimi për të gjithë ata që duan të kujtojnë dhe nderojnë sakrificën e kësaj familjeje të shquar.
Në fjalimin e tij, kryetari i Kuvendit të Kryeqytetit theksoi se mirënjohja që po i dorëzohet familjes Jashari nuk është vetëm një simbol i respektit, por një zotim i Kryeqytetit për të ruajtur dhe kultivuar këtë trashëgimi për brezat e ardhshëm. Sakrifica e familjes Jashari do të mbetet gjithmonë në thelbin e shtetit tonë, në ndërgjegjen kombëtare dhe në zemrat e çdo qytetari të Kosovës.
Me këtë akt, Kryeqyteti po e bën të qartë angazhimin e tij për të nderuar dhe përkujtuar heronjtë e lirisë, duke kontribuar në forcimin e identitetit dhe krenarisë kombëtare. Ky monument do të jetë një dëshmi e përjetshme e lavdisë dhe heroizmit të Adem Jasharit, i cili mbetet një ikonë e luftës për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës./Telegrafi/