Site icon Telegrafi

Kryeqyteti i Afganistanit mund të bjerë në duart e talebanëve brenda 90 ditëve!

Talebanët mund të izolojnë kryeqytetin e Afganistanit, Kabulin, në 30 ditë dhe potencialisht ta marrin atë në kontroll në 90 ditë, tha një zyrtar i mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara për Reuters të mërkurën, duke cituar një vlerësim të inteligjencës amerikane.

Luftëtarët talebanë kanë marrë kontrollin e nëntë kryeqyteteve provinciale në gjashtë ditë, një ritëm që ka habitur zyrtarët amerikanë.

Forcat talebane tani kontrollojnë 65% të Afganistanit dhe kanë marrë ose kërcënuar se do të marrin 11 kryeqytete provinciale, tha të martën një zyrtar i lartë i Bashkimit Evropian, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Deri muajin e kaluar, vlerësimet e inteligjencës amerikane paralajmëruan se qeveria afgane mund të bjerë në vetëm gjashtë muaj.

Zyrtari amerikan, duke folur në kushte anonimiteti, tha se vlerësimi i ri pasoi fitimet e shpejta që kishin arritur talebanët në Afganistan.

“Por ky nuk është një përfundim i paracaktuar”, tha zyrtari, duke shtuar se forcat afgane të sigurisë mund të ndryshojnë vrullin duke bërë më shumë rezistencë kundër grupit kryengritës.

Nuk ishte menjëherë e qartë nëse kjo ishte pikëpamja konsensuale e komunitetit të inteligjencës apo agjencitë e ndryshme të inteligjencës kishin pikëpamje të ndryshme, gjë që nuk do të ishte e pazakontë.

Presidenti amerikan, Joe Biden tha të martën se nuk ishte penduar për vendimin e tij për të tërhequr trupat amerikane nga Afganistani pas më shumë se 20 vitesh konflikt, duke thënë se trupat afgane janë më të shumtë se talebanët dhe duhet të duan të luftojnë.

SHBA në thelb ka tërhequr të gjithë trupat nga Afganistani, përveç atyre që qëndrojnë për të mbrojtur Ambasadën Amerikane dhe aeroportin në Kabul, me misionin ushtarak që do të përfundojë më 31 gusht. /Telegrafi/

Exit mobile version