Site icon Telegrafi

Zgjedhjet parlamentare, prokuroria po heton dy raste të cenimit të fshehtësisë së votimit

Në takimin, ku kryeprokurori i Shtetit kërkoi nga kryeprokurorët e prokurorive angazhim në mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve të Republikës së Kosovës, u njoftua se Prokuroria Themelore e Prishtinës është duke i zhvilluar hetimet për dy raste të dyshuara të “cenimit të fshehtësisë të votimit”. 

Koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokurorja Laura Pula, ka njoftuar për nisjen e hetimeve gjatë një takimi të organizuar nga Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi së bashku me Koordinatoren Nacionale për Zgjedhje, me kryeprokurorët e të gjitha prokurorive në vend ku të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit e Ambasadës Amerikane në Kosovë si dhe Menaxheri i projektit strategjik “Mbrojtja e votës”, në kuadër të sistemit prokurorial, Besim Kusari.

Në këtë takim, kryeprokurori Kelmendi kërkoi nga Koordinatorja Nacionale për Zgjedhje, Laura Pula dhe kryeprokurorët e prokurorive angazhim të shtuar lidhur me mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve të Republikës së Kosovës për zgjedhjet nacionale që do të mbahen më 9 shkurt 2025.

Po ashtu gjatë këtij takimi u diskutua për koordinimin në mes të prokurorive dhe Koordinatores Nacionale lidhur me të gjitha aktivitetet e Prokurorit të Shtetit që do të ndërmerren në rast se do të ketë cenim të procesit zgjedhor, si dhe duke përfshirë edhe bashkëpunimin e ngushtë me institucionet tjera ligjzbatuese në veçanti me Policinë e Kosovës, thuhet në njoftim, transmeton Telegrafi.

Koordinatorja Pula tha se se pas pranimit të informatave lidhur me dy raste të dyshuara në drejtim të veprës penale “Cenimi i fshehtësisë së votimit”, nga neni 215 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, Prokuroria Themelore në Prishtinë është duke i zhvilluar hetimet.

Në këtë takim u ritheksua se Prokurori i Shtetit do të vazhdojë të trajtojë secilin rast me urgjencë dhe brenda afateve ligjore.

Prokurori i Shtetit fton qytetarët të cilët kanë apo mund të kenë informata se në çfarëdo mënyre po cenohet fshehtësia e votës apo çfarëdo veprimi tjetër i ndërmarrë që bie në kuadër të veprave penale kundër të drejtës së votimit, t’i raportojnë ato tek Prokurori i Shtetit apo tek Policia e Kosovës, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

Exit mobile version