Telegrafi

Kryeprokurori Shala: Është e papranueshme të pihet alkooli gjatë orarit të punës

Prokurorët e Prokurorisë Themelore në Prizren, Genc Nixha dhe Musli Gashi, janë xhiruar më 9 korrik teksa konsumojnë alkool në orar të punës.

Gjatë qëndrimit të ekipit të “Betimit për Drejtësi” për dhjetëra minuta në lokalin në fjalë, shihet se prokurorëve u shërbehen disa shishe me birrë.

Konsumimi i alkoolit nga prokurori Genc Nixha nis nga ora 11 e 40, pra para fillimit të kohës së pauzës.

Ndërsa, prokurori Musli Gashi konsumin e fillon rreth orës 12:00.

Asnjëri nga ta nuk është ndalur për të komentuar as këtë pjesë.

Mirëpo, kryeprokurori i Prizrenit, Admir Shala thotë se është e papranueshme të konsumohet alkooli gjatë orarit të punës, andaj vlerëson se ka shkelje disiplinore nga prokurorët.

Shala: Parimisht nuk është gjest i mirë është e papranueshme të pihet alkoolit gjatë orarit të punës. Mirëpo megjithatë nuk dëshiroj të komentoj unë sepse është Këshilli Prokurorial dhe panelet hetimore që e vlerësojnë një veprim të tillë dhe besoj do të dalin me një konstatim përfundimtar. Sa i përket autoritetit kompetent unë kam vlerësu se mund të ketë shkelje të Kodit të Etikës dhe për këtë arsye edhe kam inicu procedurën disiplinore.

Gazetarja: A keni pasur më herët informacione le të themi nëse kjo është rutinë e prokurorëve në fjalë?

Shala: Po nuk kemi pas informacione, tani s’po di ju i keni has vetë ata ju e dini që është pi gjatë kohës së pauzës jashtë objektit të prokurorisë tash unë nuk mund t’i monitoroj se çka pinë e hanë. Tash nuk e di ndikimi i alkoolit sa mund të ndikojë aty mirëpo është e papranueshme për mua dhe për tërë sistemin të pihet alkooli gjatë orarit të punës”.

Se cila është performanca e prokurorëve, Shala nuk jep informacione, mirëpo thotë se konsumimi i alkoolit do të ndikoj në vlerësimin e radhës.

Shala: Po tash performaca janë raportet që i bëjë çdo vit dhe komisioni i performacës në kuadër të këshillit që e bën vlerësimin e performacës së tyre besoj që kjo do të ndikoj në vlerësimin e ardhshëm të performacës.

Gazetarja: Cili ka qenë vlerësimi juaj në herën e fundit

Shala: Po unë nuk e di unë sa e di e kanë vlerësimin mirë”.

 Në asnjë nga ligjet, rregulloret dhe kodet mbi bazën e së cilave punojnë gjykatësit dhe prokurorët, nuk përmendet specifikisht konsumimi i alkoolit.

Bazuar në Kodin e Etikës dhe Sjelljes Profesionale për Prokurorë dhe rregulloret e brendshme mbi bazën e së cilave funksionojnë prokurorët, nuk parashihet diçka konkretisht lidhur me konsumimin e alkoolit brenda orarit zyrtar.

“Format specifike të sjelljes së pahijshme të prokurorëve, të përfshira në këtë kod, nuk janë gjithëpërfshirëse. Është e pamundur që të ofrohet një listë e plotë e të gjitha situatave, me të cilat prokurori mund të përballet në praktikë” dhe se “Rregullat e pashkruara për vlerësimin e situatës përkatëse duhet të jenë të tilla që çdo sjellje që dëmton nderin dhe dinjitetin e Prokurorit të Shtetit dhe mund të dëmtojë besimin e publikut në paanshmërinë ose besueshmërinë e tij, duhet të shmanget nga prokurori gjatë gjithë kohës”, thuhet në Kodin e Etikës.

Prandaj, edhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Admir Shala, bazuar në provat e siguruara për zhvillimin e takimit me të pandehurin Reshat Tahiri si dhe konsumimin e alkoolit në orar të punës, ka kërkuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, fillimin e hetimeve disiplinore. /Betimi për Drejtësi”/