Një ditë pasi ka pranuar raportin e ekspertizës austriake për video-incizimet e kamerave të sigurisë së qendrës paraburgimit në Prizren të ditës kur vdiq në qelinë e tij aktivisti i VV-së Astrit Dehari, avokati i familjes, Tomë Gashi pretendon se në raport shkruan se në gjashtë fajlle të incizimeve ka pasur ndërprerje.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, e cila po heton rastin e vdekjes së Astrit Deharit, thotë se Gashi po mundohet të manipulojë opinion publik duke e keqinterpretuar raportin.
Kryeprokurori Admir Shala, sqaroi të martën për Gazetën Express se në raport tregohet se ka pasur ndërprerje të incizimeve rreth orës 20:00 të 5 nëntorit 2016, ndërsa vdekja e të dyshuarit për terrorizëm ka ndodhur rreth orës 16:00 të të njëjtës ditë. Madje, sipas Shalës, në raportin e ekspertizë së video-incizimeve të ardhur nga Austria, vetë hetuesit konstatojnë se ndërprerjet mund të jenë të kohës kur policia i ka nxjerrë incizimet nga serverët e kamerave të sigurisë, apo nga ndonjë ndërprerje eventuale e rrymës.