Telegrafi

Kryeprokurori Maloku tregon detaje të reja rreth vetëvrasjes së oficerit të policisë në Gjilan

Kryeprokurori i Prokurorisë së Gjilanit, Jetish Maloku në një prononcim për Telegrafin ka treguar detaje të reja rreth vetëvrasjes së oficerit të Policisë së Kosovës, B.I, mbrëmë në Gjilan.

Kryeprokurori Maloku ka treguar se tashmë ka përfunduar obduksioni i trupit të të ndjerit dhe se janë në pritje të rezultateve nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.

Lexo po ashtu Vetëvritet një polic në Gjilan

“Është kryer obduksioni i trupit të pajetë dhe jemi në pritje të raportit nga Instituti i Mjekësisë Ligjore. Në bazë të hetimeve që kemi zhvilluar ne tek i ndjeri nuk janë vërejtur shenja të dhunës, ndërkaq ka pasur vetëm një gjurmë në kokë me një predhë”, ka thënë Maloku.

Ai ka treguar se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë intervistuar dëshmitarët dhe pronarin e kafiterisë, në të cilën oficeri B.I dyshohet se kreu vetëvrasje.

“I kemi intervistuar të gjithë dëshmitarët përfshirë edhe pronarin e kafiterisë, dhe në bazë të provave që kemi mbledhur deri më tash çdo gjë qon tek ajo se i ndjeri ka kryer vetëvrasje”, u shpreh Maloku për Telegrafin.

43-vjeçari vrau veten në një WC të një kafeneje në lagjen “Dheu i Bardhë” në Gjilan. Ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 18:00. I ndjeri ka lënë pas vetes tre fëmijë – dy vajza dhe një djalë. /Telegrafi/