Site icon Telegrafi

Kryeprokurori Lumezi ka mbajtur takimin e radhës me kryeprokurorët e prokurorive

I kryesuar nga Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, sot është mbajtur takimi i radhës i kolegjiumit të kryeprokurorëve të prokurorisë së Apelit, Speciales dhe themeloreve.

Gjatë këtij takimi Kryeprokurori Lumezi, i ka njoftuar të gjithë kryeprokurorët, se Këshilli Prokurorial i Kosovës ka miratuar Rregulloren për bashkëpunim institucional.

Lumezi tha se kjo Rregullore përcakton detyrimin e Prokurorit të Shtetit në njoftimin e institucioneve publike, kur ndaj punonjësve të tyre ka filluar procedura penale, me përjashtim të rasteve kur mund të dëmtohet integriteti i hetimeve.

Po ashtu, u diskutua për identifikimin e prokurorëve të cilët në bazë të punës së treguar, performancës dhe guximit do të kenë vullnet të konkurrojnë për prokurorë në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.

Kryeprokurori Lumezi, u shpreh se PSRK-ja duhet të forcohet edhe më tutje, të angazhohen prokurorë të tjerë, në mënyrë që të ketë efikasitet më të madh të punës së kësaj prokurorie, pasi që në këtë prokurori trajtohen lëndët më të ndjeshme nga gjitha prokuroritë tjera. Lumezi, po ashtu tha se si prioritet i Prokurorit të Shtetit është dhe do të jetë angazhimi, i prokurorëve të rinj në PSRK.

Si pikë tjetër e rendit të ditës ishte, shqyrtimi i detyrueshëm i lëndëve nga kryeprokurorët e prokurorive përkatëse. Pas diskutimit, kolegjiumi i kryeprokurorëve vendosi që të gjithë prokurorët, nga momenti i pranimit të kallëzimeve penale, brenda afatit prej tre (3) muajve, të nxjerrin aktvendimet për fillimin e hetimeve, si dhe, obligohen prokurorët që, në çdo tre muaj të kontaktojnë me Kryeprokurorin e prokurorisë përkatëse, nëse hetimi duhet të mbyllet, të pezullohet, të pushohet apo të ngritët aktakuza. Lidhur me këtë çështje u pajtuan që Kryeprokurori i Shtetit, në një afat të arsyeshëm të nxjerr vendim lidhur me zbatimin e planit të lartcekur.

Po ashtu, Kryeprokurori Lumezi, kërkoi nga gjithë kryeprokurorët e prokurorive, që t’i kushtojnë rëndësi komunikimit të brendshëm me gjithë punonjësit, si dhe me Zyrën për Komunikim Publik, pasi që një gjë e tillë është me rëndësi të veçantë për gjithë sistemin prokurorial.

Exit mobile version