Mëngjesin e sotëm (e shtunë) është sulmuar fizikisht kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxhiri, e për këtë ka reaguar edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
Konjufca, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, e ka quajtur akt të papranueshëm një sulm të tillë.
“E dënoj sulmin ndaj Kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxherit, si një akt të papranueshëm për shoqërinë tonë që për mjet dhe qëllim ka vetëm demokracinë. I uroj shërim të shpejtë e shëndet të plotë!”, ka shkruar Konjufca, transmeton Telegrafi.
Ai ka thënë se “dhuna kurrë nuk ka qenë zgjidhje e kurrë nuk do të zë vend, sepse jemi të vendosur kundër saj”.
“Mbështes organet përkatëse në punën e tyre për zbardhje të plotë të ngjarjes dhe bëj thirrje që organet e drejtësisë ta ndjekin në plotni rastin dhe sulmuesit të marrin dënimin e merituar”, ka shkruar kryeparlamentari. /Telegrafi/