Në Serbi tashmë dihet kryenegociatori. Ai do të jetë presidenti aktual, figura më e fuqishme politike në këtë vend. Kohëve të fundit, presidenti serb kishte mjaft takime intensive me presidentin turk Erdogan dhe me presidentin rus Putin. Pozicionimi i tij pro proceseve integruese evropiane duket i fuqishëm, por edhe forcimi i jashtëzakonshëm i marrëdhënieve, sidomos me Turqinë, duke pasur parasysh edhe prezencën reale të Rusisë në Serbi, tregon se presidenti serb do të negociojë seriozisht për të ruajtur atë çka mundet nga prezenca serbe në Kosovë. Kështu, ai nuk duket se ka konkurrencë kur bëhet fjalë për karrigen serbe të kryenegociatorit në bisedimet finale për normalizimin e marrëdhënieve Serbi-Kosovë.
Në të njëjtën kohë, kryenacionalisti serb, Sheshel, ja kujton atij se shumica e udhëheqësve serbë, mbretër, kryeministra, kryetar… në momente dramatike kur është vendosur për fatin e Serbisë, kanë përfunduar tragjikisht, duke plasuar edhe spekulime se po përgatitet edhe vrasja e presidentit serb për shkak të frikës se do të tradhtojë interesat serbe. Para pak ditësh, Shesheli e vizitoi në burgun “Zabela” në Pozharevc, të dënuarin kryesor për vrasjen e ish-kryeministrit demokrat, serb, Gjingjiq, nga i cili mori autorizime për të rishqyrtuar edhe njëherë krejt këtë çështje, përmes një procesi të ri gjyqësor, me pretendimin se krejt kjo ishte e kurdisur nga shërbimet sekrete perëndimore dhe se vrasësi i vërtetë i ish-kryeministrit kishte udhëtuar i papenguar jashtë me pasaportë diplomatike. Pas daljes nga burgu, ish-komandanti i njësive për operacione speciale, bashkë me të dënuarin për krime kundër njerëzimit, kryeradikalin Sheshel, ata si thuhet do të nisen të çlirojnë Kosovën nga NATO-ja dhe nga shqiptarët.
Sidoqoftë, përkundër presionit të fuqishëm të nacionalistëve serbë dhe rusë, të cilët kohëve të fundit kanë insistuar që 1,000 pjesëtarë të ushtrisë dhe policisë serbe të rikthehen në veri të Kosovës, presidenti serb, me manovrimet e tij politike, kryesisht ndërkombëtare, ka arritur të frenojë ato dhe të mbetet figura e pakontestueshme e kryenegociatorit, duke refuzuar çfarëdo aventure në veri dhe duke thënë se hyrja në veri do të thoshte luftë me NATO-n dhe largim nga Evropa.
Sido që të jetë, bartësit e dy sloganeve të njohura, si “Kosova është Serbi” dhe “Kosova është Turqi”, duket se do të jenë në anën e njëjtë të tavolinës, përballë Kosovës dhe Perëndimit. Vendi i cili e njohu ndër të parët Kosovën, po angazhohet shumë për fuqizimin e Serbisë dhe marrëdhënieve me Serbinë, me gjasë në favor të kompromiseve në Bosnje dhe Hercegovinë, si dhe Sanxhak. Rreshtimi i Turqisë në një front me Rusinë dhe Iranin, ka krijuar besim në mes tyre.
Kush do të jetë në anën kosovare të tavolinës, mbetet ende e paqartë, pas tërheqjes së përkohshme, nga Parlamenti të platformës kosovare për bisedime me Serbinë. Kjo platformë duhet të “rinegociohet” edhe me opozitën, pasi që pa vullnetin e opozitës është e pamundur që të aprovohet ndonjë marrëveshje e këtij karakteri në Parlament.
Vërejtjet kryesore nga partitë opozitare kanë të bëjnë kryesisht me personin e kryenegociatorit. Opozita, e besa edhe një pjesë e pozitës mendojnë se nuk mund t’i besohet presidentit aktual roli i kryenegociatorit, sepse ai ka dhënë prova se nuk mundet ose nuk do të mbrojë interesat e Kosovës. Megjithatë, duket se sërish roli i Serbisë do të jetë i madh në përcaktimin e kryenegociatorit në Kosovë, duke pasur parasysh se përball presidentit serb duhet ulur dikush të cilin ai e preferon. Këtu luajnë rol të madh edhe marrëdhëniet e shkëlqyera serbo-turke dhe ato Thaçi-Erdogan. Pas koalicionit të fuqishëm antiperëndimor Moskë-Ankara-Teheran, marrëdhëniet e mira të Erdoganit me presidentin Thaçi dhe atë Vuçiq, duket se do të luajnë shumë rol. Kjo mund të jetë letra e fshehur nën mëngën e Thaçit.
Pra, përballë presidentit në bisedime mund të ulet veç një president, ose një mbret. Kosova, qysh e dimë nuk ka mbret, përpos nëse presidenti aktual nuk ka plane të shpall veten sovran, duke kopjuar kështu mbretin Zog i cili me përkrahjen ushtarake serbe dhe ruse asokohe u pat rikthyer në Tiranë për t’u bërë i pakontestueshëm nga politika e madje edhe nga populli (e patë shpallur veten mbret të të gjithë shqiptarëve, e pjesa më e madhe e tyre asokohe ishte nën pushtimin serb).
Për t’u shpallur mbret, fillimisht duhet zbritur nga froni qytetarët. Kjo ndoshta edhe nuk do të hetohej shumë, pasi që edhe ashtu qytetarët në Kosovë nuk po i pyet askush, se vendimet strategjike merren kryesisht jashtë Kosovës, ose edhe më saktë jashtë politikës dhe institucioneve. Në planin e brendshëm, oligarkët e rinj marrin vendimet e fuqishme jashtë institucioneve dhe nuk shqetësohen për popullin të cilin e kanë ndarë në grupe të tifozëve politike. Përkrahja e oligarkëve është vendimtare se cila parti do të fitojë, cila do të fuqizohet, apo cila do të përçahet. Ndërkombëtarët, të cilët në Ballkanin perëndimor kanë interesat e veta, do të përkrahin ato personalitete dhe grupe politike që pajtojnë me fqinjët dhe bashkëpunojnë suksesshëm me ta.
Në këtë rrafsh si duket figura e presidentit aktual të Kosovës, përkundër argumenteve të fuqishme të opozitës dhe përkundër kundërshtimeve të tyre, do të mbetet më e preferuara në të gjitha qendrat, pikërisht për faktin se ai me çdo kusht do të nënshkruajë kompromisin që do të sjell paqen në rajon, me të cilin ai shpreson të marrë hiç më pak se “Nobelin për Paqe”. Por, për këtë do të lexojmë më vonë, në librin e dytë (auto)biografik, të presidentit…