Site icon Telegrafi

Kryendeshja e Kosovës zgjon interesimin edhe të serbëve

Dejan Ivanoviq, kryetar i KF Dinamo nga Vranja e Serbisë, ka ngelur i mahnitur me futbollin që zhvillohet në Kosovë. Atij i ka pëlqyer shumë fusha në Gjilan, numri i madh i shikuesve, animi dhe sjellja e tyre, kurse e ka pëlqyer edhe lojën e të dy palëve.
“Miku im, nënkryetari i komunës së Gjilanit, Milan Stojanoviq më ka ftuar që ta përcjell kryendeshjen që luhet në Gjilan dhe t’u them të drejtën se ajo më ka pëlqyer shumë. Edhe shikuesit qenkan shumë të mirë, kurse kësaj fushe do t’ia kishin lakmi shumë ekipe në Serbi”, thotë Ivanoviq, që është edhe kryetar i Lidhjes Futbollistike të Rajonit të Pqinjës, në të cilin luajnë edhe ekipe nga Bujanoci e Presheva.

Ai thotë se nëse i bëhet krahasim futbollit që luhet në Kosovë dhe atij që luhet në Serbi, ata janë të cilësisë së përafërt dhe në të dy ekipet po shihet se ka talente dhe nga puna e tyre shumë varet se a do të bëhen futbollistë të mirë në të ardhmen. “Është mendim i hershëm të jap një vlerësim, ngase kjo është hera e parë që shoh një ndeshje të tillë, por mendoj se këto dy ekipe do të ishin konkurrente të denja të ekipeve tona”, thotë Ivanoviq, i cili shton se mbase do të mund të zhvilloheshin edhe ndeshje miqësore ndërmjet ekipeve kosovare dhe atyre serbe, ngase siç thotë ai, asgjë të keqe nuk ka në to”.

Dejan Ivanoviq, mbase ishte ndër të vetmit në grupin e shikuesve që kishte pandehur se Prishtina do të shënojë dhe do ta barazoj rezultatin edhe pse ekipi nga kryeqendra ishte me një lojtarë më pak në fushë. /Zëri/Telegrafi/ 

Exit mobile version