Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj ka marrë urim për zgjedhjen e tij në krye të Qeverisë kosovare nga kryeministrja britanike Theresa May, e cila shpreh përkushtimin e vendit të saj për ta ndihmuar Kosovën në të gjitha fushat.
May ka thënë se Britania është e përkushtuar për Kosovën e integruar në komunitetin ndërkombëtar dhe për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
“Ne mbështesim fuqishëm një Kosovë stabile, të sigurt, dhe prosperuese. Në këtë kuadër, ne do të vazhdojmë të përkrahim fuqizimin e sundimit të ligjit në vendin tuaj, dhe shpresojmë që qeveria juaj do të trajtojë me prioritet mangësitë në sistemin e drejtësisë, e gjithashtu të ndërmarrë të gjitha masat e duhura që të luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin”, thuhet në urim.
“Ne jemi të gatshëm të ofrojmë mbështetje të shtuar teknike dhe shpresojmë që iniciativat ekzistuese të gjejnë mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë suaj, siç është projekti me Mbretërinë e Bashkuar për asistencë Kosovës në rekrutimin e pozitave të larta drejtuese në administratën publike”, thuhet më tej.
May beson se bashkëpunimi Mbretëri e Bashkuar – Kosovë në këtë projekt është me rëndësi të lartë, sepse nxit profesionalizmin, llogaridhënien, dhe transparencën në administratën publike – dhe në këtë mënyrë, demonstron para botës përkushtimin e Kosovës në vlerat demokratike.
“E mirëpres vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë të dy qeverive tona. Do të jem e nderuar të ju mirëpres në Mbretërinë e Bashkuar për Samitin e Ballkanit Perëndimor, i cili do të mbahet vitin e ardhshëm”, përfundon urimi i kryeministres britanike Theresa May. /Telegrafi/