Telegrafi

Kryeministria blen naftë njëburimore

Më 10 qershor 2011 “Hib Petrol” është shpallur fituese e këtij tenderi, përderisa data e planifikuar për nënshkrim të kontratës ka qenë 21 qershori. Në njoftimin për dhënie të kontratës nga ZKM shkruan se vlera e tenderit është 3094 euro, përfshirë këtu edhe TVSH-në, por pa specifikuar se për çfarë periudhe kohore bëhet fjalë.

Pronari i kompanisë “Hib Petrol”, Ibrahim Bucaliu, thotë për “Zërin” se tenderi për furnizim me derivate të naftës, i shpallur nga Zyra e Kryeministrit, është shpallur njëherë më parë dhe është anuluar, pasi që ka qenë vetëm një ofertues.

Edhe me rishpallje të tenderit ka konkurruar vetëm “Hib Petrol” dhe është vendosur që kjo kompani të shpallet fituese, pasi që nuk ka pasur më shumë oferta. Ai thotë se vlera e tenderit për furnizim me derivate prej 3094 euro është mujore.

Bucaliu nuk di pse në këtë tender nuk kanë konkurruar më shumë ofertues, edhe pse në këtë sektor operojnë shumë kompani.“Për besë nuk e di pse nuk ka pasur më shumë oferta”, shprehet Bucaliu, duke shtuar se ai edhe më parë e ka furnizuar këtë institucion më derivate të naftës.

Nga ana tjetër, pronarë të bizneseve që merren me shitblerje të derivateve të naftës në vend thonë se “Hib Petrol” vazhdimisht e furnizon ZKM-në me derivate të naftës, ndërsa nuk dëshirojnë të flasin pse nuk kanë konkurruar më shumë kompani në këtë tender.

Lidhur me tenderin për furnizim me derivate të naftës, gazeta Zëri ka kontaktuar për 5 ditë rresht Isa Hajdarin, shefin e prokurimit në zyrën e kryeministrit, mirëpo pavarësisht premtimeve se do t’i përgjigjet shumë shpejt në pyetjet e gazetës, ai nuk e ka bërë një gjë të tillë. /Telegrafi/