Kryeministri Justin Trudeau tha të Premten se sistemi spitalor i Kanadasë mund të mbingarkohej pasi një model matjeje tregoi se rastet e reja COVID-19 do të mund të rriteshin më shumë se katërfish në fund të vitit nga nivelet aktuale dhe ai iu lut kanadezëve të qëndronin në shtëpi, për aq sa është e mundshme.
Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, një valë e dytë e coronavirusit është duke u përshkuar në të gjithë vendin, duke detyruar disa nga 10 provincat të vendosin përsëri kufizimet në lëvizje dhe tek bizneset.
Rastet vazhdojnë të rriten dhe autoritetet ankohen se disa njerëz janë më të pakujdesshëm në lidhje me marrjen e masave paraprake, shkruan Reuters.
“Për një Krishtlindje normale as që bëhet fjalë”, citohet të ketë thënë Trudeau.
Më herët, shefi i shëndetit publik Theresa Tam.
Ndërkohë, shefja e shëndetit Theresa Tam ka thënë se skenari më i keq, një rritje e 60,000 rasteve ditore, do të ndodhte nëse njerëzit do të bëheshin “më të shoqërueshëm”.
Madje, edhe nëse mbahen kufizimet aktuale në tubime, rastet e reja ditore do të kapërcejnë mbi 20,000 deri në 31 dhjetor krahasuar me më pak se 5,000 tani.
“Rastet në të gjithë vendin po rriten masivisht … ne jemi me të vërtetë në rrezik të shohim rritje të rasteve dhe spitalet të mbingarkohen”, tha Trudeau i mërzitur qartë.
Po sipas Reuters, zyrtarët parashikojnë që deri më 30 nëntor numri i përgjithshëm i të vdekurve mund të jetë midis 11,870 dhe 12,120, me rastet e përgjithshme midis 366,500 dhe 378,600.
Ndryshe, Kanadaja ka regjistruar gjithsej 315,751 raste dhe 11,265 vdekje deri më tani.
Ndaras të premten, një zyrtar federal tha që Kanadaja pret të marrë 6 milionë doza të vaksinave të Pfizer dhe Moderna deri më 31 mars 2021, megjithëse se kur mund të përdoren do të varet nga miratimi i rregullatorit. /Telegrafi/