Telegrafi

Kryeministri Thaçi lavdëron punën në KEK

“Gjendjen të cilën e kemi gjetur si Qeveri e Kosovës në energji ka qenë një gjendje e rëndë, kaotike dhe mund të them me pak shpresë për ndryshime, por ndryshimet kanë ndodhur, ndërsa prodhimi në vitin 2008 krahasuar më një vit më parë, është rritur prej 30 deri 35 për qind”, ka deklaruar kryeministri Thaçi.

Përveç sektorit të prodhimit, kryeministri tha se ka pasur progres edhe në inkasimin e faturave të energjisë, në shpërndarje etj.

“Inkasimi në vitin 2008 është rreth 135 milionë euro ose krahasuar me vitin 2007 është 18,2 për qind më i lartë, që kap shifrën 21 milionë më shumë. Prodhimi i thëngjillit po ashtu është rritur për 17 për qind krahasuar me vitin 2007, ndërsa humbjet në sektorin e energjisë janë zvogëluar për 6 për qind”.

Ndërsa ministrja e MEM-it, Justina Pula- Shiroka tha se përveç termocentralit “Kosova e Re”, ekzistojnë edhe projekte tjera të cilat do të mund të sigurojë energji të mjaftueshme elektrike, përfshirë këtu Hidrocentralin e Zhurit dhe disa hidrocentrale të vogla. Ndërsa “Kosova e Re”, sipas saj, mbetët projekti më gjigant për zgjidhjen e krizën energjetike, jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon.

Ministrja e energjisë, si çështje preokupuese përmendi borxhin shumë të lartë që konsumatorët i kanë KEK-ut. “Borxhi mbetet ende 310 milionë, prej tyre 120 milionë euro janë borxhi i enklavave”.

Ndërkaq sa i përket shtrenjtimit të energjisë elektrike ministrja Shiroka-Pula, ka pohuar se, kjo çështje është kompetencë e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë. /Telegrafi/